Për herë të parë në histori kualifikimi në fazën e grupeve të Kupës së Botës u vendos vetëm bazuar në kartonët e verdhë.
Senegali dhe Japonia e mbyllën me pikë të barabarta, golaverazh të njëjtë dhe barazuan në takimin direkt.
Rregullorja e re e FIFA-s parashikon që në rast të tillë avantazh ka ekipi që ka marrë më pak kartonë në grup, para se të kalohet te hedhja e shortit.
Senegali kishte kartonë të verdhë më shumë se Japonia, që u mund 1-0 nga Polonia dhe në fund nuk kreu asnjë ndërhyrje të rrezikshme, duke e ditur rregullin. Ndeshja mbaroi mes fishkëllimave pa fund në Vollgograd, ndërsa Japonia u kualifikua.
Për këtë histori reagoi edhe FIFA, që nuk parashikon ndryshime, por paralajmëron se do të ketë diskutime pas Botërorit. Kolin Smith, shefi i turneut, deklaron: “Është hera e parë që fair-play përdoret si kriter për renditjen në Kupën e Botës. Kemi bërë gjithçka për të evituar hedhjen e shortit, për të mos ia lënë fatit. Gjithsesi, pas Kupës së Botës do ta diskutojmë sërish atë që ndodhi në ndeshjen e Japonisë. Nëse do të ketë reagime negative, do të diskutojmë, por në situatën aktuale nuk shohim ende arsye për të ndryshuar sërish rregulloren”.