Shqipëria ka bërë sot zyrtare listën sa i përket dy ndeshjeve që do të zhvillojë në Ligën e Kombeve në muajin shtator. Ndryshe nga kualifikueset e Europianit, ashtu si edhe në Europianin e Gjermanisë, lista ishte me plot befasi dhe polemika. Silvinjo la sërish jashtë Keidi Baren dhe Myrto Uzunin, ndërsa për herë të parë u ftuan Sebastian Spahiu dhe Agim Zeka. Të dy këta lojtarë pritet t’i hapin konkurrencë Jasir Asanit.
Lënia jashtë e Myrto Uzunit dhe Keidi Bares është padyshim në kryeqendrën e vëmendjes. Pavarësisht se në këtë sezon të ri nuk po shkëlqen me gola, por sezoni sapo ka nisur dhe Uzuni vjen pas një mbyllje kampionati në Spanjë, me shifrat që flisnin për të. Nëse në listën e Europianit Silvinjo kishte disa arsye për t’u mbrojtur me diplomaci, këtë herë mungesa e ftesës për sulmuesin nga Uznova tregon qartazi se për sa kohë Silvinjo vazhdon te Shqipëria, Myrto nuk do të ketë hapësirë te Kombëtarja.
Kjo është e qartë, në pamje të parë Uzuni nuk është në stilin e preferuar të trajnerit. Çudia vazhdon edhe me Keidi Baren, që pas transferimit te Zaragoza i ka magjepsur të gjithë tifozët me mënyrën sesi po luan në fushën e blertë, pa kërkuar fare kohë për t’u përshtatur. Por edhe për Keidin, mungon një ftesë dhe duket se do të jetë si rasti i Uzunit.
Po shumë polemika tërheq mungesa e ftesës për Ernest Muçin. Në dy vitet e fundit, Muçi ka kaluar shumë luhatje në karrierë, mes uljeve dhe ngritjeve që janë të frikshme. Por veçanërisht në një listë të tillë me mungesa dhe “të vakët”, mos ftesa për Muçin është realisht shumë dhe nuk mund t’i lihet si arsye konkurrencës së madhe.
Mbi të gjitha, Silvinjo ka shkuar disa herë në Poloni kur Muci luante te Legia, për t’i treguar sesa i rëndësishëm ishte në projektin e tij. Nën rreshta, lexohet një pakënaqësi e trajnerit për mënyrën sesi Muci zgjedh të impenjohet apo të futet në ritmin e një ndeshje. Një fjalë e pathënë nga Silvinjo, që kërkon gjithmonë të jetë mes diplomacisë dhe të mos e thotë kurrë një të vërtetë të tijën që ndez debate në publik, por me këtë veprim të fundit, është mëse e qartë se diçka nuk i pëlqen brazilianit nga Muçi. /Sport Ekspres/