Verën e shkuar Igli Tare bëri realitet një nga ëndrrat e tij. Ish-sulmuesi shqiptar mori postin e rëndësishëm të drejtorit sportiv të Milanit, një klub të cilin e ka simpatizuar që herët dhe që ka një traditë mjaft të rëndësishme në futbollin botëror. Por ëndrra e tij përfundoi pa nisur mirë. Tare qendroi në krye të detyrës për vetëm 1 sezon. RedBird Partners kanë lëshuar sot një komunikatë zyrtare në faqen e uebit të Milanit, ku kanë njoftuar shkarkimin nga detyra të Igli Tares, Alegrit, Furlanit dhe Monkadës. Një revolucion pritet të ndodhë këtë verë pas dështimit për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
“Pas zhgënjimit të vitit të kaluar, mandati i vendosur për Klubin ishte të kthehej në Ligën e Kampionëve dhe të krijonte një themel për të fituar vazhdimisht në krye të Serie A. Për pjesën më të madhe të këtij sezoni, ne ishim në dy pozicionet e para në Serie A, me një shans të besueshëm për të garuar për Scudetton. Pjesa e fundit ishte krejtësisht e papajtueshme me performancën deri në atë pikë, me humbjen zhgënjyese të mbrëmjes së kaluar në ndeshjen e fundit që e ktheu sezonin në një dështim të qartë.
Tani është koha për ndryshim dhe një riorganizim gjithëpërfshirës të operacioneve të futbollit. Duke filluar menjëherë, po ndahemi me Drejtorin Ekzekutiv Giorgio Furlani, Drejtorin Sportiv Igli Tare, Trajnerin Kryesor Massimiliano Allegri dhe Drejtorin Teknik Geoffrey Moncada. I falënderojmë secilin prej tyre për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj AC Milan gjatë mandateve të tyre përkatëse. Njoftime të mëtejshme në lidhje me emërimet e ardhshme do të bëhen në kohën e duhur, me qëllim që të jemi gati dhe të përgatitur mirë për sezonin e ardhshëm”, është shkruajtur në komunikatën zyrtare të RedBird Partners./Sport Ekspres/