Një argjentinas e një uruguaian për Luftëtarin  

Sipas zëvendëspresidentit të Luftëtarit Artur Dade, skuadra gjirokastrite i ka të gjitha potencialet e duhura për të treguar se jo rastësisht diti të ishte surpriza e sezonit të fundit të kampionatit shqiptar

Gëzim Beqiri

Luftëtari i dyshes uruguaiane Fernandez – Kurbelo duket se e ka të qartë objektivin e sezonit futbollistik 2017-2018, atë të prezencës pozitive në elitën shqiptare. Pas më shumë se dy javë e gjysmë përgatitje në Gjirokastër, skuadra gjirokastrite është akomoduar dje në Nausa të Verias, ku për dhjetë ditë do të marrë ngarkesat e duhura fizike. Sipas zëvendëspresidentit të Luftëtarit Artur Dade, skuadra gjirokastrite, i ka të gjitha potencialet e duhura për të treguar se jo rastësisht diti t’u bëjë ballë “dallgëve të larta“ që përshkruan sezonin e fundit kampionatin shqiptar. ”U bëmë pjesë e ekipeve më të mira dy sezone më parë falë investimeve financiare dhe mbështetjes së dashamirësve të ekipit tonë. Sezonin e fundit kemi marrë vlerësimet më të mira nga mbarë opinioni futbolldashës, madje na cilësuan si surpriza e kampionatit. Së bashku me presidentin Grigor Tavo mbetemi të vendosur për të formatuar Luftëtarin e sezonit të fundit, pse jo të Luftëtarit me ambicie të mëdha. Nuk do të dëshiroja të na nënvlerësonin kundërshtarët. Përkundrazi, do të jemi synues të kupave të Europës“, u shpreh fillimisht Dade.

Merkato
Kur të gjithë mendonin se Luftëtari do të tregohej inaktiv në merkato, ditët e fundit kanë rezultuar ndryshe në kampin bluzi. Luftëtari, jo vetëm që ka ditur të ruajë “bërthamën” e ekipit të vjetshëm, por parashikohet të jetë më shumë se aktiv në ditët e mbetura të merkatos verore. Dy janë emrat e futbollistëve të rinj të afruar nga tregu i huaj. Fjala është për uruguaianin Fabrico Nunjez dhe liberianin Abu Kamara, të cilët nuk do të jenë të parët dhe të fundit që priten të jenë pjesë e organikës së Luftëtarit të ri.

“Na kanë paragjykuar si të vonuar në merkato. E vërteta është se kemi një ekip me lojtarë cilësorë, cilësitë e të cilëve u dukën më së miri sezonin e fundit. Në Nausa pjesë e skuadrës tonë do të bëhen dy futbollistë me cilësi të mjaftueshme për mbushjen e boshllëqeve të krijuara nga largimet e lojtarëve të huaj. Një mbrojtës argjentinas dhe një mesfushor nga Uruguaji do të jenë nën urdhrat e dyshes teknike. Do të jetë trajneri Luis Fernandez, ai i cili do të marrë vendimet e duhura. Trajneri është fuqiplotë dhe nuk do të ketë asnjëherë ndikimin e njerëzve të tjerë. Luftëtari s’do të jetë më surprizë, por skuadra që do të synojë kupat e Europës“, tha për “Sport Ekspres” zëvendëspresidenti Artur Dadaj.

Ja lojtarët që udhëtuan drejt Nausas
Gjirokastritët kanë “zbarkuar” dje në Nausa të Verias për të zhvilluar fazën e mirfilltë të përgatitjeve verore. Pjesë e kontigjentit të Luftëtarit mësohet se janë këta lojtarë: Festim Miraka, Avernold Qyrani, Shkëlzen Ruci, Donald Rrapo, Olti Rrapa, Orjad Beqiri, Albano Aleksi, Behar Ramadani, Dejvi Bregu, Eri Lamçe, Silvo Zogaj, Eduart Rroca, Brixhild Brahimaj, Stivi Janku, Kristal Abazaj, Theodhori Puci, Romario Biraci, Nazmi Gaba, Stivi Puci, Abu Kamara, Fabricio Nunjez.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *