“Ishim mirë, kur ishim keq”. Një shprehje e cila do t’i shkonte për shtat klubit gjigand europian, që në këtë fillim sezoni ka regjistruar nisjen më të dobët të kampionatit në vitet e fundit. Bëhet fjalë për Milanin. Një start kaq i dobët nuk ndodhte prej sezonit 2012-2013, në vitin e fundit të Masimiljano Alegrit në stol.
Në atë periudhë, kuqezinjtë kishin grumbulluar vetëm 4 pikë në katër javët e para, ndërsa Inzagi, Mihajloviç e Montela kishin grumbulluar më tepër se 5 pikët aktuale. Pas zhgënjimeve ndër vite, starti i dobët i Serisë A ka krijuar pakënaqësi edhe mes tifozëve. Pasiguritë dhe dyshimet mbizotërojnë. Të gjithë janë nën akuzë, ndërsa si gjithmonë në këto raste, fatura i drejtohet trajnerit.
Rino Gatuzo është nën akuzë. E ardhmja e drejtuesit të stolit është më e lëkundur se asnjëherë. Problemi lidhet me lojën: Milani ka treguar se nuk di të ndryshojë gjatë ndeshjeve, të modifikojë manovrat në bazë të zhvillimeve tekniko-taktike të ndeshjeve. Kjo ka bërë që të nisë të diskutohet edhe emri i pasardhësit në stol.
Alternativa kryesore është Antonio Konte. Ish-trajneri i Italisë, Juventusit dhe Çelsit u përfol edhe si zëvendësues i mundshëm i Spaletit në momentet e vështira të Interit, ndërsa tashmë është kthyer në “hijen” e Gatuzos. Nëse Milani nuk ndryshon ecuri dhe rezultate, por mbi të gjitha edhe sjelljen në fushën e lojës, hipoteza Konte mund të nisë të konkretizohet.