Në pritje të gjyqit të Lozanës, pra në KAS, në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në Europë, Milani vijon të lëvizë në merkatos. Pasi ka zyrtarizuar Pepe Reina, Ivan Striniç dhe Alen Haliloviç (vjen me parametra zero nga Hamburgu, por në ras rishitje, gjermanët mbajnë 20% të kartonit), tashmë objektivi është sulmuesi.
Dhe, një rol kryesor mund të ketë shitja e Nikola Kaliniçit, i cili kërkohet në Spanjë dhe, madje, më konkretisht, agjenti i tij, Fali Ramadani, ka nisur bisedimet me Atletiko Madridin.
Formula është huazimi për 2 mln euro dhe detyrim blerje në total 18 mln euro në fund të sezonit. Simeone ka biseduar telefonikisht me kroatin dhe i ka dhënë garanci, teksa Atletiko pritet te shesë edhe Kevin Gameiron.
Por, në anën tjetër, po në Spanjë, mund të gjejë Milani zëvendësuesin. Bëhet fjalë për një lojtar që italianët njohin mirë, sidomos në Euro 2016. Simone Zaza është i përzgjedhuri.
Valencia është gati ta shesë dhe Mirabeli, drejtori sportiv kuqezi, është takuar me agjentin e sulmuesit, Bepe Boco. Akordi është për katër vjet dhe me një rrogë që shkon deri në 3,5 milionë euro në sezon.
Për këtë arsye, Zaza ka refuzuar edhe Kinën, ku Tianzhin Kuanzhian kishte bërë gati ofertën duke e paguar edhe më mirë.
Sakaq, Valencia do të paktën 20 mln euro dhe është gati që ta japë edhe huazim, me detyrim blerje.