Bujar Nishani është bërë pjesë e diskutimeve në botine sportit, për shkak të padisë që trajneri i Kombëtares Kristian Panuçi ka ngritur për ish-presidentin e vendit tonë. Nishani ka qenë i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Channel One” në emisionin “Debat”, ku nuk ka nguruar që të komentojë dhe këtë situatë.
Ish-presidenti thekon se ende në drejtimin tij nuk ka ardhur një padi, por sa i përket gjuhës së përdorur është i bindur se gjuha që përdor tekniku italian është shokuese për familjen dhe fëmijët.
“Unë po pres të njihem me padinë sepse nuk e kam marrë ende. Jam njohur me këtë çështje vetëm nga mediat. Patjetër që unë do të respektoj procesin dhe ligjet e shtetit tim dhe të vendit tim, do ta ndjek me seriozitet në gjykatë procesin”.
“Do marr avokat. Nëse flasim për edukatë apo shpërthime emocionale, nëse do klikonit në internet dhe do shikonit fjalorin që përdor zotëria, është një fjalor që shokon çdo familje dhe çdo fëmijë”.
Kujtojmë që Panuçi kërkon një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh, pasi Nishani e ka quajtur “sharlatan” në një postim që ka bërë në “Facebook”.