Të hënën e 23 janarit do të nisë për herë të parë në Shqipëri kursi për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Bëhet fjalë për një kurs formimi me licencë të UEFA-s për profesionistët e fushës që vjen këtë vit si një risi e rëndësishme sa i përket edukimit dhe kualifikimit të trajnerëve që punojnë në futbollin shqiptar.
Në Sektorin e Edukimit në FSHF është ngritur prej kohësh një Sektor i posaçëm për Zhvillimin e Portierëve, që synon të rrisë nivelin e trajnerëve të portierëve, duke i ofruar atyre formimin bashkëkohor rreth stërvitjes së portierit modern.
Siç është bërë e ditur lektorë në këtë kurs do të jenë emra të njohur të fushës së trajningut të portierëve në Europë dhe në Shqipëri, të cilët do të ofrojnë eksperiencën e tyre të vyer përgjatë leksioneve në teori dhe praktikë.
Pjesëmarrësit në këtë kurs të parë do të jenë trajnerë portierësh nga klube të ndryshme shqiptare, por edhe disa nga anëtarët e stafeve të ekipeve kombëtare të moshave.
Kursi do të zgjasë për 4 muaj me radhë, ndërsa pjesëmarrësit do vlerësohen përmes një përzierje me të mësuarit në mënyrë të pavarur dhe seancave praktike.
Nëpërmjet këtij kursi do të punohet njëkohësisht edhe për të rritur sa më shumë numrin e portierëve nëpër akademi dhe klube si edhe për të pasur portierë sa më cilësorë në të ardhmen.
Portieri është një rol delikat dhe kërkon vëmendje të veçantë dhe për këtë arsye në vitet e ardhshme, qëllimi i FSHF-së është që të mbështesë akademitë që ta bëjnë rolin e portierit prioritet, që të rritet si rol edhe në aspektin sasior, por edhe në atë cilësor.
Pak javë më parë Federata Shqiptare e Futbolli organizoi edhe edicionin e parë të “Goalkeeping Seminar” për t’i ofruar trajnerëve të portierëve në Shqipëri mundësitë për t’u zhvilluar profesionalisht nëpërmjet informacioneve e përditësimeve më të fundit rreth stërvitjes së portierit modern.
Seminare të këtij lloji do të organizohen në mënyrë periodike gjatë vitit, duke ftuar lektorë të ndryshëm nga arena ndërkombëtare që punojnë prej vitesh si specialistë në trajnimin e portierëve.
“UEFA B Goalkeeping” i bashkëngjitet programeve të edukimit që FSHF ka implementuar prej kohësh në edukimin dhe kualifikimin e stafeve teknike, duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe rolit të trajnerit të portierëve si një figurë kyçe në stafin teknik të një skuadre futbolli.