Nis programi “UEFA Certificate in Football Management”, Duka: Shans për rritjen profesionale të futbollit shqiptar

Federata Shqiptare e Futbollit ka mirëpritur ditët e fundit në Shqipëri programin “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës. Bëhet fjalë për një program të domosdoshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.

Ky certifikim në menaxhim futbolli ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme. Në këtë edicion kishte pjesëmarrës nga disa vende të botës si nga Gjermania, Hungaria, Bullgaria, Kroacia, Bullgaria, Azerbajxhani, Kosova si edhe nga FSHF apo klube të ndryshme shqiptare. Udhëheqës të programit ishin përfaqësues të UEFA Academy, Universitetit të Lozanës dhe FSHF-së.

Eksperiencat pozitive të bashkëpunimit të vazhdueshëm me FSHF-në në të gjitha nivelet ka bërë që UEFA t’ia besojë organizimin e këtij trajnimi kaq të rëndësishëm qeverisë shqiptare të futbollit. Në sesionin hapës të programit, që u zhvillua në Durrës, ishte i ftuar edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, ku falënderoi UEFA-n që i besoi Federatës Shqiptare organizimin e një eventi kaq të rëndësishëm për menaxhimin e futbollit.CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit europian. Pjesëmarrësit marrin leksione nga pedagogë nga universitete të rëndësishme europiane si edhe menaxherë të mëdhenj të botës së futbollit e drejtues të UEFA-s.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se CFM është shumë e rëndësishme për rritjen tuaj profesionale të burimeve njerëzore, teksa bëri me dije se së shpejti FSHF do të organizojë një tjetër aktivitet me UEFA-n për sigurinë e stadiumeve për organizimin sa më të mirë të një ndeshjeje futbollit dhe për të minimizuar sa më shumë incidentet me tifozët.

“Edicioni i programit të ‘Certifikimit të Menaxhimit në Futboll’ është shumë i rëndësishëm dhe unë për këtë do të doja të falënderoja UEFA Academy, që ia besoi Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e këtij edicioni për herë të parë në Shqipëri.

Kjo është shumë e rëndësishme për trajnimin tuaj, për përmirësimin tuaj, për rritjen tuaj profesionale, por është shumë e rëndësishme edhe për vetë Federatën, sepse është një eksperiencë që rrit aftësitë organizative të organizatës së FSHF-së që së fundmi ka zhvilluar disa aktivitete të përmasave internacionale. Para pak ditësh ne organizuam mbledhjen e një nga Komiteteve më të rëndësishme të UEFA-s, HatTrick. Tashmë po hapim këtë aktivitet, Certifikimin e Menaxhimit të Futbollit, – tha Presidenti Duka.

Pas pak ditëve ne do të kemi një tjetër aktivitet për sigurinë e stadiumeve. Një aktivitet i planifikuar më parë por që në fakt me ngjarjet e fundit në stadium bëhet edhe më emergjente, për mënyrën se si ne duhet të organizohemi më mirë, se si të gjithë faktorët dhe aktorët duhet të bëjnë më mirë organizimin e një ndeshje. Ekspertë të fushës nga UEFA do të jenë në Tiranë bashkë me ekspertët tanë në ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe sidomos në ndeshjet derbi ku do të ketë më shumë prani tifozësh për të minimizuar apo eliminuar ngjarje si ajo e mbrëmshmja.

Ngjarje me të vërtetë e turpshme, që nuk na nderon, njollos futbollin, por që të gjithë ne duhet të ndjejmë përgjegjësi, të nxjerrim mësime dhe të përmirësohemi për të ardhmen dhe jo të drejtojmë gishtin nga njëri-tjetri, pasi të gjithë ne jemi fajtorë, që nga ne si organizatorë, ata që duhet të na ndihmojnë apo tifozët në shkallët e stadiumit. Është vërtetë mëkat kur 22.000 tifozë në stadium krijuan një atmosferë shumë të mirë, por nga disa individë të njollosemi apo të penalizohemi”.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së theksoi se ky kurs i CFM-së është mjaft i vlefshëm për pjesëmarrësit në drejtim të përmirësimit të aftësive profesionale dhe për të përmirësuar menaxhimin e klubeve të futbollit apo të organizatat respektive.

“Për t’u kthyer tek aktiviteti, te ky kurs i CFM-së ju ftoj mos ta shihni thjesht si një shans për të marrë një certifikatë, sepse nuk besoj se ka vlerë, por si një mundësi për t’u përmirësuar në aftësitë tuaja profesionale në planin personal dhe për të përmirësuar menaxhimin e klubeve të futbollit apo të organizatave respektive nga të cilat ju vini, jo vetëm nga klubet, Federata, apo edhe nga institucione të tjera. Ta shfrytëzoni këtë për të ndihmuar veten dhe klubet. Ne e dimë shumë mirë që futbolli është një lojë që shfaqet me 11 veta në fushë, por pa një menaxhim të mirë, pa klube të strukturuara me menaxherë të të gjitha niveleve, është e pamundur që të zhvillohet dhe të bëjë hapa përpara. Ju, jo vetëm nëpërmjet këtij kursi, por edhe me të gjithë trajnimet e tjera që duhet të bëjmë ne nga pikëpamja teknike, do ta zhvillojmë lojën më të bukur në botë”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka.

Ky program është krijuar nga Akademia UEFA dhe partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe tani u ofrohet federatave anëtare të UEFA-s.

Programi do të ofrohet këtë edicion nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues të FSHF, klubeve anëtare si edhe përfaqësues nga federata homologe që do të trajnohen nga lektorë ndërkombëtarë.

Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit. CFM organizohet në tre seminare direkte me pedagogë në auditor dhe 6 module për kandidatët zhvillohen në e-learning në lidhje me organizimin e futbollit, menaxhimit strategjik dhe operativ, sponsorizimet, marketingu, komunikimi dhe media, eventet dhe menaxhimi i vullnetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online