Zëvendës presidenti i UEFA-s, Boniek, bëri një njoftim të befasishëm së fundmi, duke zbuluar se formati i ri i Ligës së Kombeve do të përfshijë edhe 10 Kombëtare të Amerikës së Jugut. Një vendim i tillë nuk është pritur aspak mirë nga FIFA, duke nisur kështu një “lu.ftë” mes dy organizatave të futbollit.
Sipas “Daily Mail”-it, qeveria botërore e futbollit do të organizojë një samit virtual me 211 përfaqësuesit e saj ditën e hënë si një aksion kundër nismës së fundit nga UEFA dhe CONMEBOL-i. Sipas FIFA-s një format i tillë i Ligës së Kombeve do të krijonte një ndarje më dysh të konfederatave të futbollit si dhe do të krijonte probleme për idenë e hedhur mbi zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vite.
Në këto kushte organizata më e lartë e futbollit botëror mund të tregojë forcën e saj duke mos njohur kompeticionin e Ligës së Kombeve, çka do e bënte këtë të fundit asgjë tjetër veçse një turne miqësor./Halit Delibashi-Sport Ekspres/