Nis kursi UEFA A, Tafaj: Licenca të bën pjesë të futbollit profesionist. Ja risitë e kurseve të këtij edicioni

Ka nisur nga kjo e hënë edicioni i radhës i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit UEFA A, që është niveli i dytë për nga rëndësia pas licencës UEFA PRO. Kursi që organizohet dhe zhvillohet nga Astrit Maçi dhe Alban Tafaj, drejtues pranë Sektorit të Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit do të zgjasë gjashtë muaj, ku të gjithë trajnerët e regjistruar do të kenë mundësinë të ndjekin këtë program arsimor përgjatë kësaj periudhe kohore, me një kurrikul të mirëpunuar nga FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA-n.

Në një intervistë për fshf.org, një nga drejtuesit e Sektorit të Edukimit, Alban Tafaj shprehet se ky kurs është i një niveli profesionist, teksa thekson se ashtu sikurse edhe në edicionin e kaluar, kursi do të shtrihet përgjatë gjashtë muajve, nga 4 janari deri më 8 qershor, me trajnerët që do të jenë më pranë skuadrave të tyre. “Duke i uruar Vitin e Ri të gjithë protagonistëve të futbollit, sidomos trajnerët, stafet drejtuese, organet mbështetëse, Federatës Shqiptare të Futbollit, do të thoja që sot fillon kursi i “UEFA A”, që është një kurs i një niveli profesionist, mjaft i rëndësishëm sepse është i shtrirë në 6 muaj. Pra UEFA ka ndikuar te shpërndarja e kursit në mënyrë të tillë që trajnerët të jenë sa më afër skuadrave të tyre. Jemi në një moment tjetër, pra jo trajnerë të cilët kanë një bllok prej 7 javësh që largohen nga skuadrat e tyre për të ndjekur kursin, por për gjashtë muaj, në gjashtë blloqe të ndryshme nga 7-10 ditëshe, ne plotësojmë kursin, që fillon sot dhe përfundon më 18 qershor” – shprehet Tafaj.

Teksa bën një dallim midis niveleve të licencave që ofrohen nga UEFA për trajnerët e futbollit, Tafaj shprehet se diferenca bëhet pikërisht nga licenca e nivelit A. “Niveli i licencimit të trajnerëve nis me UEFA C dhe duke nisur me këtë nivel, UEFA B është niveli i dytë i licencës dhe përfshin të gjithë botën amatore të futbollit. Kurse ajo që bën diferencën është licenca e nivelit A, është ajo licencë që është profesioniste dhe e zotërojnë të gjithë zëvendës-trajnerët e Superiores, por që është e detyrueshme për të gjithë trajnerët e ekipeve të para dhe U-21, U-19 e kështu me radhë në futbollin profesionist” – vijon ai.

Në fund, ai shpjegon edhe risitë për kurset që do të zhvillojë FSHF-ja në këtë vit të ri, që nga niveli C, që do të nisë në muajin shkurt e te niveli B, me këto dy kurse që do të zhvillohen në dy zona, atë të Fierit dhe të Shkodrës, për të krijuar lehtësi për të gjithë trajnerët. “Risia e këtij viti për fillimet e kurseve është sepse nisim me nivelin C të UEFA-s, që nis në shkurt dhe është i ndarë në perioda të ndryshme tre ditore, të shtrirë në muaj. Një risi e licencave të këtij viti është sepse ne do të zhvillojmë këto kurse, qoftë të nivelit të UEFA C, qoftë të nivelit UEFA B, “licenca” shkon te trajneri, pra trajnerët nuk vijnë të gjithë te Qendra e Ekipeve Kombëtare. Pra kemi dy epiqendrat tona, qoftë atë të Fierit, për të gjithë zonën e jugut dhe të Shkodrës për zonën e veriut. Pra janë planifikuar të dyja kurset, një në zonën e Fierit dhe një në zonën e Shkodrës të niveleve C dhe B” – përfundon Alban Tafaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *