Nis kursi për licencën “UEFA B Fitness Coach”, zyrtari i UEFA-s: Rrisim standardin e përgatitësve atletikë në futboll

Ka nisur kursi i ri për licencën “UEFA B Fitness Coach”, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, që certifikon përgatitësit atletikë në fushën e futbollit. Ky kurs është një risi në gamën e gjerë të licencave të njohura nga UEFA, që ofrohen nga FSHF-ja.

Ky kurs udhëhiqet nga sektori i përgatitjes atletike në Drejtorinë Teknike dhe do të zgjasë për 4 muaj me radhë. Është një kurs intensiv, i cili ndahet në 50% orë teorike dhe 50% orë praktike dhe finalizohet me një provim për pjesëmarrësit.

I ftuar në këtë edicion të kursit të përgatitësit atletik ishte zyrtari i UEFA-s, Chris Barnes, një figurë e njohur në shkencat sportive, me eksperiencë të madhe si konsulent i performancës atletike së futbollit në shumë klube angleze dhe prej vitesh edhe në qeverinë e futbollit europian.

Në një prononcim për Fshf.org, Barnes u shpreh mbi rëndësinë e organizimit të këtij kursi edhe në Shqipëri, përfitimet e pjesëmarrësve dhe pritshmëritë e tij në përfundim të programit.
“Është e rëndësishme që secila federatë anëtare e UEFA-s të jetë pjesë e këtij kursi, pasi ajo që po mundohemi të krijojmë është një sistem që profesionalizon rolin e përgatitësit atletik. Në këto momente, nuk kërkohet asnjë kualifikim për të qenë një përgatitës atletik në futbollin profesionist, ndaj ne po prezantojmë këtë kurs që të rrisim standardet e kësaj disipline” – u shpreh Barnes, i cili shtoi se është e rëndësishme që këto standarde të ekzistojnë në të gjithë Europën.

“Ka njerëz që janë në stade të ndryshme të karrierës së tyre. Për ata që kanë eksperiencë, është një mundësi për të reflektuar ku janë, të sigurohen që janë të përditësuar me atë ku shkenca dhe përgatitja fizike e futbollit është zhvilluar. Për specialistët e rinj është një mundësi e vërtetë për t’u mbledhur dhe për të kuptuar thellësisht se ku po shkon loja në lidhje me shkencën e futbollit” – shtoi më tej studiuesi i shkencës sportive.

“Kjo është dita ime e parë këtu. Kam pasur mundësi të shoh ambientet e Shtëpisë së Futbollit, të cilat janë klas i lartë, të shkëlqyera. Iris Selimi dhe ekipi i FSHF janë specialistë shumë të mirë. Kam pritshmëri të larta”, – deklaroi Barnes, duke e vlerësuar letë program si një eksperiencë pozitive për pjesëmarrësit dhe për ekipin që organizon kursin.

Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të mësojnë nga profesorë të përgatitjes atletike nga vende të ndryshme të Europës. Gjithashtu, edhe përgatitësit atletikë të licencuar nga FSHF, të cilët punojnë në ekipet kombëtare dhe në klubet shqiptare kanë ndarë me studentët e këtij kursi eksperiencat e tyre në këtë profesion.