“Niko Dovana” ndryshon imazh, pamjet e punimeve në Durrës

Në fundjavën e futbollit në Kategorinë Superiore, më mbrapa nuk mbeti as stadiumi “Niko Dovana”. Edhe pse Teuta kishte luajtur të shtunën, duke fituar ndaj Laçit në “Elbasan Arena”, gjatë orëve të fundit në stadiumin e Durrësit ka patur mjaft lëvizje.

Klubi bregdetar ka nisur prej së shtunës punimet për përmirësimin e gjendjes së terrenit të lojës. Pas gjendjes së rënduar të fushës, drejtuesit e klubit vendosën të ndërhynin, duke mbjellë barin. Pas hedhjes së farës së re të barit, punimet kanë vazhduar për të bërë që tapeti të rritet në kushte optimale dhe në gjendjen më të mirë.

Teuta ka vendosur të ndërhyjë për të përmirësuar gjendjen e fushës në këtë moment, duke qenë se tre nga katër ndeshjet e radhës, skuadra do ti luajë në trasfertë. Në këtë mënyrë, për procesin sakrifica do të bëhet vetëm në ndeshjen e javës së 11-të të kampionatit, në fillim të muajit nëntor ndaj Tiranës, e cila do të luhet në fushë asnjëanëse.

Më pas Teuta do të luajë edhe dy ndeshje në trasfertë, për tu kthyer përpara publikut të saj vetëm më datë 25 nëntor. Iniciativa e klubit bregdetar u realizua në bashkëpunim me Federatën e Futbollit, pasi stadiumi i Durrësit ka qenë një prej impianteve më të shfrytëzuar për aktivitetet e ekipeve kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *