Nëse i quajnë “Super Eagles”, Super Shqiponjat, një arsye duhet të ekzistojë. Nigerianët kanë treguar edhe një herë se qëndrojnë në majën e futbollit afrikan, pasi sot mundën 2-1 Afrikën e Jugut, në një ndeshje dramatike në çerekfinalet e Kupës së Afrikës.
Afrika e Jugut zbriste në fushë me moralin në qiell, sepse në turin e shkuar eliminoi Egjiptin vendas, ndërkohë që edhe sot luajti shumë mirë dhe ishte superiore në pjesën e dytë, por një gol i shënuar nga mbrojtësi i Udinezes Troost-Ekong në fundin e ndeshjes e rrëzoi në tapet.
Nigeria kishte shënuar me Çukueze në pjesën e parë dhe ishte duke luajtur mirë, por Zungu barazoi në pjesën e dytë, me një goditje të saktë me kokë. Pikërisht kur priteshin shtesat, Troost-Ekong shënoi një gol të lehtë, pasi portieri afrikano-jugor Uilliams doli gabimisht në zhvillimet e një goditjeje nga këndi.