Trajneri i Laçit, Stavri Nica, duke folur për Supersportin pas ndeshjes së humbur kundër Luftëtarit, evidenton mungesën e sulmuesit kryesor, që do të zgjidhte shumë probleme.
“Futbolli ka parimet e veta dhe ndodhi ajo që e pësuam në kundërsulm, në një kohë që gabuam shumë raste dhe pas pësimit të golit skuadra u shthur, aq sa mund të pësonim disa gola. Gabova edhe unë me ndërrimin e bërë, duke larguar Lushkjen, sepse skuadra humbi ekuilibrat. Humbëm edhe raste të mira për shënim, duke nisur nga rasti i Nikës, ndërsa Luftëtari përfitoi në kundërsulm. Lushkjen e zëvendësova sepse pësoi një dëmtim të lehtë dhe nuk dëshiroja të rrezikoja. Ndoshta gabova, janë të pranueshme këto. Më vjen keq që nuk kemi sulmues goli, është shumë e vështirë të luash pa sulmues të vërtetë. Edhe me Partizanin, edhe sot, krijuam lojë dhe shkonim me vështirësi në sulm.
“Mungesat? Janë disa lojtarë me probleme, Ademir e Qaqi janë të dëmtuar, disa të tjerë nuk kanë gjendjen më të mirë fizike, ndaj nuk është moment optimal. Përveç kësaj, e përsërit që na duhet Rexhinaldo, i cili është sulmues dhe mund të na ndihmojë shumë.
“Skuadra duhet të tregohet profesioniste, por nuk është e lehtë të ndërtosh një skuadër profesioniste, ka shumë vështirësi. Nuk kemi kushtet e disa klubeve të tjerë si Skënderbeu e Partizani, apo Kukësi, ka shumë vështirësi, ndaj edhe lojtarët duhet të tregohen më të kujdesshëm. Shoh shumë probleme, jo vetëm te ne, por në çdo skuadër, edhe Luftëtari që fitoi sot nuk është më mirë se ne në këtë drejtim”.