Kampionati shqiptar është drejt fundit, teksa mbeten vetëm 4 ndeshje nga fundi. Dy skuadrat pretendente janë Teuta dhe Partizani, të cilat do të përballen në 17 maj me njëra-tjetrën. I ftuar në emisionin “Proçesi Sportiv” në Top Channel, analisti Redi Jupi ka thënë dy skuadrat që do të luftojnë për titullin kampion janë Teuta dhe Partizani. Jupi ka nxjerrë nga gara Vllazninë dhe Tiranën, të cilat kanë diferencë perkatësisht 5 dhe 6 pikë me kreun.
“Unë mendoj që në këtë moment të kampionatit, dy janë skuadrat që mund të shkojnë drejt titullit, Teuta dhe Partizani. Pra meqënse janë vetëm katër ndeshje dhe ka një përballje Teuta-Partizani, shpresa e vetme e Laçit është që do të ketë një barazim mes te dyjave dhe të afrohet, por me katër ndeshje të mbetura dhe kështu si po shkohet, po ta shikosh këtë javë luajnë 5 skuadrat e para me 5 skuadrat e fundit. Tirana është aty afër, 6 pikë nga kreu, por duhet që të katra skuadrat e para të gabojnë në këto katër javë që të dalë kampion. Kështu që e përjashtoj nga kjo pjesë. Edhe Vllaznia është 5 pikë larg”- u shpreh Redi Jupi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/