Për ndeshjen kundër Dinamos së Zagrebit, Skënderbeu kaloi nëpërmjet Maqedonisë me autobus, për shkak të pamundësisë për të gjetur fluturime Tiranë-Zagreb. Në Maqedoni gjatë kthimit klubi korçar hasi në një situatë absurde: iu desh të udhëtonte pa ndalur gjatë gjithë Maqdonisë, pasi eskorta policore që kishte me vete kishte marrë urdhër që autobusi të mos ndalej askund, derisa të dilte nga territori maqedonas.
Policia u mjaftua me justifikimin se i tillë ishte urdhri, ndërsa Top Channel ka mundur të sigurojë pamjet ku autobusi i korçarëve nuk lejohet të ndalet dhe u kërkohet pasagjerëve që të qëndrojnë në autobus.
Një situatë absurde, për të cilën Ambasada shqiptare në Shkup nuk ka asnjë informacion. Të kontaktuar nga Top Channel, ata thonë se nuk janë sinjalizuar për asnjë situatë të veçantë që solli në këtë përcjellje të pakuptimtë të skuadrës shqiptare nga territori maqedonas.
Vetëm pak javë më parë tifozët e Partizanit nuk mundën të shkonin në Burgas për të ndjekur Partizanin kundë Botevit, sepse u ndalën në kufirin bullgaro-maqedonas, ndërsa tani ndodh edhe kjo ngjarje e rëndë.