Nga Turqia te Superiorja/ Sabien Lilaj, Jahmir Hyka dhe Gledi Mici flasin për të ardhmen e tyre

Tre futbollistë të shumëkërkuar nga ekipet shqiptare në këtë merkato të verës janë Sabien Lilaj, Jahmir Hyka dhe Gledi Mici. Askush nuk ka dyshime për aftësitë e këtyre lojtarëve që kanë gjithë eksperiencën për të dhënë kontribut në ekipet që kanë stofin e kampionit në Superiore.

Megjithatë për të mbërritur deri këtu ka konkurrencë të madhe pasi futbollistët tundohen shumë nga ideja për të provuar një eksperiencë jashtë Shqipërisë. Të tre këta lojtarë kanë qenë në të njëjtin zë në intervistën e dhënë për “Supersport”, duke e parë Superioren si një plan B nëse nuk gjejnë marrëveshjen e duhur jashtë vendit.

Sabien Lilaj: “E nisa me pushime pasi kishim nevojë për një 2-javësh pushim. Pasi u qetësova erdhi momenti që nuk po duroja dot më dhe doja që të nisja sërish stërvitjen. Vazhdojmë të mendojmë për futbollin pasi kjo është jeta jonë. Në Izrael ishte një cikël me të mirat dhe të këqijat e veta, por që përfundoi keq. Le të marrim mësimet nga çdo eksperiencë. Kjo është periudha më e bukur për ju si gazetar, por më stresuese për ne. Oferta konkrete nuk ka pasur, vetëm fjalë. Oferta kam pasur nga Kosova dhe dy konkrete nga Izraeli, por nuk kam pasur kushtet e duhura, pasi është krizë e madhe atje nga Koronavirusi. Menaxheri im është duke kontaktuar edhe ekipet jashtë. Sa i përket Tiranës kam hedhur hapat e para të futbollit, do t’i jem gjithë jetës falënderues dhe mund të bashkëpunojmë në të ardhmen. Pa harruar këtu edhe Skënderbeun, që mund të kthehem edhe atje. Ndërkohë edhe në Kosovë e dashurojnë futbolli dhe investimet po rriten”.

Jahmir Hyka: “Pas përfundimit të kampionatit në Izrael ishte momenti që të ktheheshim në stërvitje, siç e tha edhe Lilaj. Tani presim për një ekip të ri.Sa i përket aventurës në Izrael, ne kemi dhënë maksimumin tonë, megjithëse nuk përfundoi mirë. Ky është futbolli dhe duhet të mësojmë për të ecur më para. Në këto momente nuk mund të flasim për merkaton. Kam pasur disa kontakte në Zvicër dhe me një klub që nuk mund ta përmend tani, por do të merret vesh shpejt nëse kryhet. Superiorja është një mundësi, por jam i fokusuar për jashtë. Dua ta uroj Tironën për fitimin e titullit, jam tifoz i tyre dhe do të ishte kënaqësi që ta rivishja sërish fanellën. Por të shohim se kur do të ndodhi”.

Gledi Mici: “Kampionati në Maqedoni u ndërpre për shkak të Koronavirusit, erdha edhe unë këtu te Roland Peqini dhe ndihem në formë të mirë. Ishte zhgënjyese edhe për ne te Shkëndija kampionati që përfundoi pasi jemi krijuar për të dalë kampion. Por kishin mbetur edhe 10 ndeshje, prandaj duhet të ngushëllohemi pak me këtë detaj. Kjo periudhë është pak stresuese për ne pasi kemi shumë kontakte. Jam në bisedime në Turqi dhe duhet të presim. Në Shqipëri kam eksperiencë dhe kam dalë kampion. Nëse nuk bëhet gjë për jashtë, atëherë do të kthehem, pse jo për t’u bërë bashkë me Sabienin dhe për të dalë sërish kampion. Partizani dhe Tirana? Patjetër që do të më pëlqenin, sepse janë ekipet më të mëdha”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *