Presidenti Gjici duhet të takohet sot me trajnerin Gjoka për të qartësuar pozicionin e tij. Kontratat e lojtarëve duken shumë të vështira për t’u deshifruar
Jurgen Zela
Nga parajsa europiane, te “kantieri i ndërtimit”. Ai eliminim me Sherifin e Tiraspolit i ka turbulluar shumë ujërat në Kukës. Edhe pse në fushë lojtarët bënë thuajse gjithçka, eliminimi ka sjellë një situatë të çuditshme. Stoli mbetet një enigmë dhe rezultatet e mira nuk sjellin detyrimisht preferencën për zgjatjen e bashkëpunimit për trajnerin Gjoka. Në krahun tjetër, lojtarët pretendojnë se janë të lirë, por mund të kenë nga një vit “dhuratë” në kontratat e tyre, që te Kukësi është shumë e vështirë t’i deshifrosh. Klauzolat e shumta në disa raste duan një studim nga specialistë të fushës, për të kuptuar disa pika, që mund t’u kenë shpëtuar lojtarëve dhe që tani kanë krijuar një problematikë më vete.
TRAJNERI
Presidenti Safet Gjici prej ditësh vijon angazhimet e tij politike, por sot, me shumë gjasa, do të hedhë sytë nga skuadra për të parë drejt sezonit të ri. Trajneri Gjoka është pa kontratë dhe pritet të ketë sot takimin me bosin e Kukësit, për të vendosur nëse do të zgjatet bashkëpunimi, apo gjithçka do të ndërpritet. Në fakt, Ernest Gjoka nuk është preferencë e parë, madje flitet se parimisht është arritur akordi me Skënder Gegën si trajnerin e ri të veriorëve. Klubi ka kundër tifozët, të cilët nuk e duan largimin e Gjokës. Por gjithçka do të zbardhet sot, kur do të jepet njoftimi, nëse Gjoka do të ndahet këtu apo do të nisë punën për sezonin e ri. Emërimi i trajnerit do t’i hapte rrugën punës me skuadrën, pasi në bazë të preferencave të tij do të formohet Kukësi i ri.
KONTRATAT
Kontratat janë çështja e momentit në Kukës. Askush nga lojtarët nuk e di me siguri, nëse kontrata i ka përfunduar, apo është ende në shërbimin e Kukësit. Duket e çuditshme, por është plotësisht e vërtetë, pasi një pjesë e lojtarëve kanë mësuar se janë pjesë e skuadrës verilindore edhe për sezonin e ardhshëm. Fillimisht, njoftimi zyrtar nga klubi kuksiane ishte se nuk ka zgjatje automatike të kontratës, por vetëm një klauzolë, që kushtëzon një takim të lojtarëve me presidentin Gjici para largimit. Por situata nuk është plotësisht kështu. Mjafton të shohim një pikë të një prej kontratave të mëparshme të Kukësit, për të kuptuar sa e ndërlikuar është kjo çështje. “Nëse 7-ditshin e fundit të muajt të parafundit të afatit të kësaj kontrate, asnjëra prej palëve të kësaj kontrate nuk shprehet me shkrim kundër zgjatjes së afatit, palët pranojnë se kjo kontratë do të hyjë në fuqi automatikisht edhe për dy vjet me të njëjtat kushte”.
Një ekspert i fushës mund ta deshifrojë këtë pikë saktësisht, pasi koha nuk është saktësisht e përcaktuar, pra nëse përfshihet në këtë pikë edhe periudha e Kupave të Europës. Vetëm një nga pikat e shumta të kontratës. Në Kukës duket se kontratat janë bërë të frikshme dhe lojtarët me të drejtë janë të paqartë.