Superiorja do të vazhdojë me tre ndeshje në ditën e sotme që do të zhvillohen në orën 16:45. Dinamo do të përballet me Teutën në një ndeshje mes dy ekipeve që kërkojnë me patjetër fitoren. Kryeqytetasit nuk po gjejnë ende varkën e shpëtimit dhe janë me një këmbë në Kategorinë e Parë, ndërsa në zonën e ftohtë gjendet edhe Teuta. Nga krahu tjetër është Tirana që rikthehet për të luajtur në shtëpi me Kastriotin.
Bardheblutë kërkojnë “hakmarrjen” për atë humbje në Krujë, në të vetmin rast që ekipi i Shehit është hasur me kritika në këtë sezon perfeksioni. Por kryendeshja e sotme do të jetë ajo që vlen më pak në letër, Skënderbeu-Egnatia. Nëse korçarët do të humbasin, mund të themi se janë zyrtarisht në Kategorinë e Parë, përtej matematikës. Por një fitore e tyre do të mbante gjallë shpresat dhe do të rëndonte mbi Egnatian, për ta ndezur garën e mbijetesës si kurrë më parë. /Sport Ekspres/