Pak nga pak, Barcelona po ndahet nga yjet që i kanë dhuruar kaq shumë suksese në dekadën e fundit. Tashmë radhën e ka një tjetër veteran, Havier Masçerano, i cili i ka kërkuar klubit blaugrana që ta lërë të lirë në janar.
“Jefecito” i ka thënë klubit se ka marrë një vendim të pakthyeshëm dhe se zgjedhja e tij është vazhdimi i karrierës gjetkë, për të luajtur rregullisht. Natyrisht, nuk është vetëm kjo arsyeja, sepse Masçerano ka marrë një ofertë nga klubi kinez Hebei China Fortune.
Hebei, i themeluar në vitin 2010, është gati t’i trefishojë pagën aktuale, që është rreth 4.5 milionë euro. Në këmbim, argjentinasi do të largohej nga Barça falas, duke i kursyer Barcelonës një shifër të konsiderueshme.
Te Hebei trajner është Manuel Pelegrini, ndërsa aty luajnë edhe emra si Laveci e Zhervinjo. Në moshën 33-vjeçare, Masçerano kërkon të luajë rregullisht për të qenë gati për Kupën e Botës, ndërkohë që edhe llogaria bankare do të mbushej para fundit të karrierës.
Gjithçka e realizueshme, por ka një problem: Barcelona jo vetëm që duhet të gjejë zëvendës, por mbi të gjitha kërkon të përfitojë nga shitja e mesfushorit, sepse kërkon rreth 8 milionë euro nga Hebei.