Alesio Abibi është portieri i ri i Tiranës, sepse ka gjetur marrëveshjen me klubin bardheblu dhe ka firmosur në ditën e fundit të verës.
Erdhi në Shqipëri si një nga alternativat si pasues i Enea Koliçit, kur ky i fundit kërkonte të largohej, por Kukësi gjeti marrëveshjen dhe rinovoi me portierin kampion, ndaj Alesio Abibi u largua nga Kukësi.
20-vjeçari italo-shqiptar shkoi më pas në Shkodër, ku u mundua të arrinte një marrëveshje me Vllazninë, por nuk ia doli mbanë.
Tani Abibi gjen marrëveshjen me Tiranën, duke u bërë portieri i dytë i ekipit, vend i lënë bosh nga Edvan Bakaj, i cili u largua drejt Prizrenit.
Abibi ka luajtur për disa vite në Itali, derisa në janar të këtij viti shkoi tek Eldense në Spanjë. Eldense u bë e famshme në mënyrën e gabuar, sepse pas një disfate 12-0 ndaj Barcelonës B u vendos nën akuzë për trukime dhe disa lojtarë, ashtu si investitorët nga Italia, përfunduan në pranga.
Alesio Abibi nuk kishte luajtur asnjë minutë deri atëherë, por pas disfatës në Barcelonë portieri italian Alesandro Zanier nuk ishte më pjesë e skuadrës, duke bërë që Abibi të luante nga minuta e parë në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Kohët e fundit Abibi ishte stërvitur me Elda Industrial CF në divizionin e pestë spanjoll, ku i ofruan kontratë, por tashmë Abibi shpreson të gjejë vend në Superiore.