Si një finale e vërtetë për titullin kampion u mbyll ndeshja e sotme mes Kastriotit dhe Lacit. Të dy ekipet kërkonin marrjen e tre pikëve sa i përket mbijetesës. Më shumë vendimtare ishin për Kastriotin, që në rast të humbjes, do ta kishin të pamundur qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Mihana kaloi në avantazh Kastriotin në minutën e 47, por Guindo barazoi gjithçka. Sulme dhe kundërsulme u panë në minutat e fundit, teksa Babatunde shënoi në minutën e 90. Arbitri e pa situatën në VAR dhe do të anulonte golin pas një prekje të topit me dorë në vazhdim të atij aksioni.
Vendimi i arbitrit i bëri disi lojtarët konfuz pasi në fillim festuan ata të Laçit, por kur e kuptuan vendmin, ishin ata të Kastriotit që gëzuan. Vendasit tentuan me të gjitha mënyrat për të shënuar dhe Spartak Ajazi shënoi në minutat shtesë duke sjellë festën e madhe. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Cela: “Ishte një finale për ne, shansi i fundit për të qëndruar në lojë. I thashë edhe djemve që nga sot ne ndërtojmë historinë tonë, shkruajmë një faqe të re. Nëse nuk fitonim, nuk do të kishte më asgjë për të diskutuar. Kemi punuar mirë derisa shënuam golin. Kur shënojmë gol, bëhemi emocional dhe shpeshherë lëshojmë zonat. Patëm fat në fundin e takimit. Përveç fatit është edhe karakteri ynë. Tani ndeshjet janë njëherë në javë, nuk ka më ngjeshje kalendari. Unë mendoj se ne do të kthehemi, i kemi mundësitë për t’i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura”.
Mezani: “Kemi humbur dhe këto pikë do të na kushtojnë shumë. Ne kemi mundur veten, nuk na ka mundur Kastrioti. E kemi pësuar nga dy goditje standarte. Lojtarët duhet të marrin më tepër përgjegjësi. Jam pa fjalë. Goli i anuluar i Babatunde? Lojtari ynë e kishte dorën ngjitur, vetëm t’i heqim krahun. Për mua duhej të ishte i rregullt, por arbitri e mori vendimin dhe ajo punë ka mbaruar tani. Unë e kam problemin te minutat e mbetura, ku ne pësuam golin. Disa lojtarë duhet të kuptojnë se ndeshja mbaron kur vërshëllen arbitri”.