Në kampionatet dytësore si ai shqiptar futbollistët ose largohen drejt Europës pa mbushur 23 vjeç, ose ngecin aty, zakonisht.
Vitet e fundit talentet më të mirë po gjejnë sistemim jashtë, nga Olajinka e deri te Hebaj së fundi, por tashmë klubet e huaj mundohen të zbulojnë talente edhe më herët, që te të rinjtë.
Para pak ditësh “Sportal.al” publikoi një artikull në lidhje me një talent shqiptar që po vëzhgohej nga Verona dhe disa klube të tjerë në Itali.B Bëhet fjalë për sulmuesin 16-vjeçar Kleis Bozhanaj, i cili ka shkëlqyer me Internacionalin e Tiranës dhe është pjesë e Shqipërisë U-17.
Futbollisti i talentuar, përfaqësuar nga agjenti i FIFA-s Daniele Mura, është tashmë i sigurt për transferimin në Itali dhe thjesht i duhet të zgjedhë, së bashku me familjen. Zoti Mura ka zbuluar se në garë për Bozhanajn janë plot 6 klube të Serisë A: “E vërtetë, Kleis Bozhanaj ka oferta të rëndësishme, kemi bisedime me 6 klube të Serisë A. Për momentin nuk kemi vendosur, jemi ende në fazën e vlerësimit të opsioneve që kemi mbi tryezë. E rëndësishme është që janë të gjitha oferta shumë serioze, lojtari ka talent dhe e duan me çdo kusht. Do të bëjmë më të mirën për të ardhmen e Kleit”.
Duket se e ardhmja e Bozhanajt është mjaft premtuese dhe Internacionali do të përfitojë në periudhë afatgjatë, sepse nuk është hera e parë që çon talente jashtë Shqipërie.