Nga puna me fugon te Vlorë-Leçe, koha për të falënderuar “mbretin” Gent për thesarin që i jep Shqipërisë

Nga Klaudio Ndreca

Nëse sot gëzojmë një brez futbollistësh si kurrë më parë, të rritur në shkollat më të mira të futbollit në Europë, padyshim që heronjtë kryesorë janë…prindërit. Janë pikërisht ata që në një valë emigrantësh që nuk ka fund nga Shqipëria në drejtim të shteteve të tjera, marrin përsipër të shkojnë deri në ekstremitet për të vendosur në rrezik edhe jetën e tyre, për të hir të së ardhmes së vetes dhe të fëmijëve.

Në disa prej këtyre rasteve, fëmijët kthehen në futbollistë të klubeve elitare dhe sot përfaqësojnë me krenari atdheun e tyre, nga i cili ishin të detyruar të largoheshin. Kryesisht prindërit, që pavarësisht se panë tmerrin me sy vetëm për t’ia mbathur nga Shqipëria, nuk e mallkojnë vendin e tyre, përkundrazi, e duan më shumë. Fundja, çfarë faji ka toka e bekuar për njerëzit dhe politikanët që e shkatërrojnë çdo ditë?

Ky ishte edhe rasti i Gentjan Asllanit, babait të Kristjan Asllanit. Teksa punonte me një furgon si shofer, shihte dita-ditës njerëz që largoheshin nga Shqipëria. Dikush në Itali dhe dikush në Greqi, kështu Gentit iu formua në kokë ideja se kishte mbërritur momenti edhe për të që të linte çelësat e fugonit dhe të nisej drejt “tokës së premtuar”.

Mënyra ishte ajo, si e çdo shqiptari, me gomone drejt Italisë, Vlorë-Leçe. 53 veta, 53 jetë njerëzish që ishin mbi atë gomone udhëtuan për një orë e 20 minuta. Pasi nisi të fillonte punë në ndërtim dhe kur filloj të stabilizohej atje, do të tërhiqte familjen. Kristjanin nuk e kishte parë ende kur lindi, por e gjen në këmbë, 16-muajsh.

Këto janë vetëm pak nga peripecitë e para, ndërsa fati nga ana tjetër kishte përgatitur një surprizë të bukur për të, atë të shpërblimit. Imagjinoni sesi mund të ndihet tani babai i një lojtari, djali i të cilit luan te Interi. Kur shkon në stadiumin ikon “San Siro” dhe rrethohet nga figura të njohura, legjendash sportive në Itali, që flasin fjalët më të mira për djalin e tij.

Nga ana tjetër, para syve i kalojnë kohët kur punonte me furgon në Shqipëri, koha kur u nis me gomone drejt Italisë dhe koha kur punonte në ndërtim që të tërhiqte edhe familjen. Pa sakrificën e këtyre familjeve dhe sigurisht pa sakrificën e Gentit në këtë rast, Shqipëria nuk do ta kishte një Kristjan Asllani.

Ndryshe nga rasti i mëparshëm i Adnan Januzajt dhe familjarëve të këtij lojtari, në asnjë moment Asllani nuk bëri lojëra me Shqipërinë, ishte i vendosur për të përfaqësuar këtë Kombëtare. Babai, Gent, nuk u bë personazh mediatik dhe nuk bëri asnjë lloj reagimi as në momentin kur Reja e ulte padrejtësisht në stol te Shqipëria. Madje as në momentin kur u çuditën edhe vetë lojtarët e Italisë në atë miqësore me Shqipërinë, teksa pas ndeshjes shkuan që ta pyesnin Asllanin të habitur sesi qëndroi në stol në atë ndeshje.

Sërish Genti heshti, po ashtu si edhe vetë Kristjani, që duhej të përtypnin fjalët për situatën sado e pamerituar dukej, vendi i lojtarit të Interit ishte në fushën e blertë. Ka ardhur koha që falënderimet t’i japim publike jo vetëm për lojtarët, por edhe për familjarët e tyre, pa të cilët asgjë nuk do të bëhej e mundur. Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua, por pas një djaloshi të edukuar qëndron një familje shembullore. E për këtë “mbreti” Gent meriton shumë duartrokitje për thjeshtësinë që ka përçuar te djali i tij. Pa këta familjarë, Shqipëria nuk do të kishte këtë brez futbollistësh. Është vuajtja e disa familjeve dhe fëmijëve të vegjël, që duan ta kthejnë në fuqi për të ulëritur suksesin e madh në Gjermani. Këtë nuk e ka Çekia, këtë nuk e ka Polonia. Për ta është vetëm futboll dhe objektivi i radhës, për ne është shumë më tepër se kaq. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online