Barrio di Serro San Kristian është një distrikt i Konçali-t. Një prej zonave më famëkeqe të Kilit. Aty ka lindur Geri Medel. I rritur në një shtëpi së bashku me 30 persona të tjerë (po, po e kuptuat mirë… tridhjetë). Nisi të luante futboll në fushat me dhè të Sabino Aguad, kundër bashkë-moshatarëve të tij. Luante gjithashtu edhe në rrugë, përballë fëmijëve që ishin dyfish më të mëdhenj në moshë.
Historia e Medel është ajo e një pjese fatlume, sa i takon të rinjve amerikano-jugorë, të cilët ëndërruan një të ardhme në futboll dhe arritën t’ia dilnin mbanë. Nga Boka Zhunjors, te Sevija dhe Interi, ndërsa tashmë në moshën 31-vjeçare luan në Turqi me fanellën e Beshiktashit.
Historinë e tij, atë që e dërgoi deri në majat e futbollit botëror, e ka përmbledhur në tatuazhin e krahut të majtë. Aty, e mban si trofe: “Soy todo sacrificio, soy un perro en la cancha” (Vetëm sakrifikoj, jam një qen në fushë).
Kur dikush e ka pyetur nëse si lojtar i Boka Zhunjor ndihej nën presion sa herë luante në stadiumin mitik, “Bombonera”, Geri iu përgjigj: “Një ditë, në lagjen ku jam rritur, më vendosën tre pistoleta në kokë. Ai PO, që është presion”.
Grinta që e karakterizon është e njëjta që e mbajti në jetë, në vitin 2009, pas një aksidenti të rëndë automobilistik. Humbi kontrollin e makinës, e cila doli jashtë rruge dhe bëri disa saltro në ajër. Medel i’a hodhi vetëm me disa muaj pushim. Një “mrekulli” për të gjithë ata që e dëgjonin historinë, por një shpjegim logjik për mesfushorin: “Geri ka vdekur, vetëm se vdekjes nuk ia mban b… t’ia thotë”.