Kanë kaluar pak javë nga mbyllja e Botërorit, por për Kroacinë duket sikur ka kaluar një jetë. Kujtimi i rezultatit historik, me kualifikimin në finale, tashmë duket shumë i largët.
Në ndeshjen e parë zyrtare, pas medaljes së argjendtë, skuadra e Zlatko Daliç vendosi një tjetë rekord, por këtë herë negativ. Humbja 6-0 përballë Spanjës ishte më e rënda në histori për përfaqësuesen ballkanase.
Asnjëherë më parë Kroacia nuk i kishte pësuar gjashtë gola në një ndeshje. Kurrë më parë deri në ndeshjen e Elçes, nuk kishin dalë nga fusha me një diafatë të këtyre përmasave. Rekordi negativ deri me tani kanë qenë humbjet 5-1 (dy ndaj Gjermanisë në vitet ’40) dhe një ndaj Anglisë.
Spanja nuk tregoi mëshirë, ndërsa Kroacia mësoi rregullin e pashkruar, se pas Kupës së Botës, pavarësisht ecurisë, vjen mbyllja e një cikli. Largimet e Subashiç dhe Manxhukiç nga skuadra kanë lënë një gropë të madhe, e cila me rinovimet e bëra nuk ka arritur të mbushet. E panesueshme sesi Kroacia kaloi shumë shpejt nga rezultati më i mirë në histori, në rezultatin më të dobët.