Nga “lufta” me Juventusin, te sezoni fantastik: ylli shqiptar po mahnit Interin

Në vitin 2015, një talent shqiptar shkelqente te Kremoneze. Rey Manaj ishte vetëm 18-vjeçar dhe në verën e atij viti Interi bëri gjithçka për t’a patur. Djaloshi nga Lushnja kishte teknikë dhe fizik të pazakontë për moshën e tij. Drejtuesit zikaltër vendosën të investonin, duke fituar duelin me Juventusin.

Bardhezinjtë e njihnin mirë dhe provuan t’a rrëmbenin. Tentativa nuk u konkretizua, edhe sepse… Manaj ishte një tifoz i Interit prej moshës së vogël. Pas paraqitjeve të mira me ekipin e të rinjve te zikaltërit, sulmuesi shqiptar nuk arriti të ngrihej në nivelin e pretenduar. Huazime te Peskara, Piza dhe Granada, ku nuk arriti të krijonte impakt.

Mosha e re ishte një justifikim, Rey nisi të rritej, por më e rëndësishmja nuk u dorëzua për asnjë moment. Me këmbëngulje fitoi vendin në Kombëtaren shqiptare, ndërsa në Spanjë është kthyer si protagonist, këtë herë me fanellën e Albasetes.

Gjatë verës që lamë pas, Interi e huazoi me të drejtë blerje te klubi i Ligës së Dytë spanjolle. Shifra e paguar në arkat e italianëve varion nga 2 në 2,5 milionë euro. Një investim i goditur, sepse te Albasete, Manaj është kthyer në idhullin e tifozëve. 5 ndeshje të luajtura dhe 4 gola të realizuar, në më pak se 270 minuta aktivizim.

Kategoria e dytë spanjolle është një kampionat që po e ndihmon Manajn të shpalosë të gjithë kualitetin e tij. Paraqitjet nuk po kalojnë pa u vënë re dhe Interi vazhdon ta mbajë nën vëzhgim sulmuesin, pasi sipas kontratës kanë të drejtë ta riblejnë lojtarin, në këtë rast me çmim edhe më të lartë nga sa pagoi Albasete.

Drejtuesit zikaltër nuk i’a ndajnë sytë “xhevahirit” kuqezi, në një kohë kur klubi e përdori për të rregulluar bilancin financiar, ndërsa Manaj fiton eksperiencë dhe shënon gola. Italianët po e monitorojnë me kujdes ecurinë e 21-vjeçarit, ndërsa Rei vazhdon të shënojë gola dhe të bëhet protagonist, me ëndrrën për t’u rikthyer dhe për të bërë të njëjtën gjë edhe te Interi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *