Flet një nga talentet shqiptare që u shit një vit më parë te Lilë në Francë për 400 mijë euro, edhe pse kishte luajtur shumë pak me Skënderbeun. Vetëm 19 vjeç dhe e ardhmja për t’u shkruajtur!
Leonard Trebicka
Shpesh, jeta i ngjan atyre kutiave kineze (çdonjëra përmban një tjetër brenda saj e kështu me radhë) ose shpesh edhe një “rulete ruse”, pra më ngjitje dhe ulje. Sigurisht, nuk është një lojë, edhe pse për një lojë flitet, këtë herë për futbollin. Dhe, të shkruash të ardhmen, do të thotë të kesh jetuar ashtu si duhet të tashmen.
Një vit më parë, Skënderbeu do të realizonte një shitje paksa të çuditshme, por që rezultoi më shumë se e suksesshme. Agim Zeka, kosovari që kishte mbushur 18-vjeç, edhe pse nuk kishte minuta në këmbë me ekipin e parë, nga paraqitja me të rinjtë arriti të shitej plot 400 mijë euro. Sulmuesi që kishte mbërritur nga Kosova për të qenë pjesë e Skënderbeut, për meritë edhe të menaxherëve, arriti të bënte ndoshta shitjen më të bujshme, pasi kaloi te Lila në Francë, teksa pas një periudhe të shkurtër prove firmosi edhe kontratën 3-vjeçare si profesionist. Klubi i Skënderbeut, përpos shitjes dhe eurove që arkëtoi, ka të drejtë të përfitojë 10% të shumës financiare të këtij lojtari gjithmonë nëse transferohet në të ardhmen dhe padiskutim që këto janë politikat më të suksesshme të klubit bardhekuq, i cili në këto pesë vitet e fundit ka ditur të menaxhojë në mënyrën më të mirë bilancin, duke e kthyer në model administrimin. Pra, Agim Zeka ka mëse një vit që luan me të rinjtë e Lilës në Francë i zbuluar padiskutim edhe nga drejtori i klubit frances Luis Kampos. Paraqitjet e djaloshit 19-vjeçar kanë qenë të shkëlqyera deri tani duke shënuar edhe gola, ndërkohë që vetë lojtari beson shumë që në një të ardhme të afërt të veshë edhe fanellën e kombëtares kuqezi që drejtohet nga Panuçi.
Dy ditë më parë i grumbulluar me kombëtaren U-21, Zeka luajti 45 minutat e pjesës së dytë në barazimin 1-1 ndaj Irandës së Veriut dhe Zeka edhe pse luajti një pjesë loje ka shkëlqyer në fushë. Sigurisht që sinjali që lëshon Zeka për Panuçin që në këtë moment është domethënës dhe jo më kot një sulmues i tillë është përzgjedhur nga klubi Lilë në Francë.
Shpresa e madhe – Vetë lojtari në fjalë, dje një ditë pas përfundimit të ndeshjes së fundit me kombëtaren U-21 dhe pas paraqitjes së shkëlqyer për “Sport Ekspres” do të thoshte këto fjalë: “Së pari, dua të flas për kombëtaren U-21 dhe faktin që luajta. Ishte një ndjenjë shumë e mirë, sepse në fund të fundit sa herë luaj për kombëtaren kam emocione shumë të mëdha. Paraqitja e mirë që bëra është një detyrim që kam ndaj fanellës kuqezi dhe besoj se edhe këtë herë e justifikova besimin që më kanë dhënë. Mund të them që tani edhe pse luaj me Shpresat që ëndrra ime e madhe është kombëtarja e madhe. Kur të vijë ajo ditë dhe shpresoj që të vijë sa më shpejt të jetë e mundur do të jetë dëshira më e madhe që do të më realizohet, sepse e kam ëndërruar qysh fëmijë. Unë personalisht do të punoj sa më shumë të jetë e mundur dhe shkëlqimi vjen nga Zoti dhe nga puna, prandaj unë kam ulur kokën dhe i jam përkushtuar shumë futbollit.
Në Francë… – Më pas, Zeka ka rrëfyer sigurisht edhe aventurën e tij në Francë, te Lila. “Në Francë synimi im është që të luaj në ligën e parë dhe ta tregoj veten me Lilën ekipin që luaj. Atje konkurrenca është vërtet e madhe dhe rritmi i lojës është shumë i lartë. Jam shumë në formë dhe edhe atje shumë shpejt shpresoj që ta realizoj dëshirën që kam”, përfundoi talenti kosovar.