Nga Lika te Ngo, Tirana katandiset pa gjysmën e titullarëve

0

Portieri bardheblu kryen sot rezonancën magnetike. Në klub kanë frikë mungesën e gardianit për takimet e ardhshme

Olsi Avdiaj

Duhet të ishin ditë të qeta te Tirana, ato të pushimit të kombëtares, por kanë rezultuar me shumë probleme. Të paktën pesë lojtarë nuk kanë qenë e nuk do të jenë në stërvitjen e radhës. Ilion Lika, Albi Doka, Musa Muhamed, Junus Sentamu dhe Majkëll Ngo nuk janë në skuadër gjatë përgatitjeve të ditës së martë dhe zor se do të kthehen deri të enjten.

Ilion Lika – Problemi më i madh mbetet portieri i Tiranës. Gardiani vazhdon të ketë dhimbje në gju dhe rrezikon të mbetet jashtë në ndeshjen e ardhshme, por dhe më shumë. Portieri ka dhimbje në gju, të ardhura pas dëmtimit që Lika pësoi në takimin me Tomorin. Dje Ilioni nuk ka qenë në stërvitje dhe vazhdon të ketë probleme, që kanë trembur jo pak stafin mjekësor dhe teknik të bardhebluve. Sot është vendosur që të zhvillohet një rezonancë magnetike për të parë edhe më mirë gjendjen e lojtarit, i cili është shtylla kryesore e ekipit. Aktualisht, Ze Maria në dispozicion ka edhe dy portierë të tjerë, Alesio Abibin dhe Princ Çalin, po qenësia e Likës është themelore për ekipin bardheblu, në rrugën drejt Superiores.

Albi Doka është një tjetër futbollist, i cili ka munguar në stërvitje. Lojtari është i dëmtuar dhe po riaftësohet jashtë Shqipërisë. Doka ka humbur ndeshjen e radhës me ekipin Shpresa si dhe të gjithë takimet nga janari e në vazhdim me fanellën e Tiranës. Pritet që pas pauzës së kombëtares të bashkohet me ekipin.

Majkëll Ngo nuk ishte në stërvitjen e djeshme. Sulmuesi ka udhëtuar drejt Anglisë, pasi ka marrë disa ditë leje në ekip. Futbollisti ka shkuar për të takuar familjen, ndërkohë që vetëm sot do të kthehet në Tiranë, për të nisur më pas stërvitjen me grupin.  

Për Junus Sentamun është kombëtarja, ajo që hap punë Tiranës. Lojtari prej disa ditësh nuk është pjesë e bardhebluve. Uganda do të luajë dy miqësore kundër Sao Tome & Principe dhe Malauit. Uganda ka vendosur të shohë lojtarë, që nuk kanë luajtur kohët e fundit me ekipin A dhe po i jep një shans edhe Sentamut, i cili ka qenë jashtë kombëtares për probleme disiplinore. Pas 14 muajsh ai do të veshë fanellën e kombëtares së Ugandës dhe në këto kushte ai kthehet në Tiranë, vetëm në fund të muajit mars, për të mos thënë në prill.

Për Musa Muhamedin ka ardhur një thirrje e shpejtë nga kombëtarja e Kenias. Lojtari Brain Mandela është dëmtuar në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe kjo ka shtyrë trajnerin e Kenias, që të ftoj mbrojtësin e Tiranës. Futbollisti do t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit në Marok. Gjithsesi, lojtari dje ka qenë në stërvitje dhe me të gjitha gjasat do të niset sot drejt Marokut. Skuadra e Kenias do të luajë dy miqësore me Komorosin dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.