Federata Shqiptare e Futbollit ka shpallur ditën e sotme vitin jubilar, që përkon me 90 vjetorin e krijimit të qeverisë shqiptare të futbollit. Një vit i veçantë ky dhe që Meriton të trajtohet si i tillë. Për të festuar siç duhet 90 vite histori të futbollit shqiptar, FSHF zbulon edhe planet e saj përgjtë gjithë këtij vit.
Ceremoni festive dhe kupa e aktivitete me emrat më të njohur që kanë lënë gjurmët e tyre në futbollin shqiptar do të shoqërojnë jetën sportive gjatë gjithë vitit. Një risi e përgatitur posaçërisht për këtë jubilee është edhe logoja e veçantë e 90 vjetorit, e cila do të mbahet në fanellat e të gjitha ekipeve gjatë ndeshjeve, por edhe në uniformat e tyre në daljet publike apo në evente./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i plotw i FSHF-sw:
FSHF shpall vitin jubilar me rastin e 90-vjetorit të krijimit!
Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur një program të veçantë për të festuar vitin jubilar të 90-vjetorit të krijimit të kësaj federate.
Më datën 6 qershor të vitit 1930, Mbreti Zog firmosi Dekretin Mbretëror për krijimin e Federatës Sportive, nën kujdestarinë e Entit “Djelmënija Shqiptare”. Është ky moment historik që fikson edhe startin e rrugës së gjatë të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Do të zhvillohen ceremoni festive, ngjarje, me aktivitete për rikujtimin e figurave sportive, gjatë gjithë vitit. Kupa dhe aktivitete me emra të shquar të futbollit shqiptar në vite, do të organizohen në çdo kënd të Shqipërisë.
Për historinë e futbollit shqiptar do të organizohen takime në Universitete të Sportit dhe nëpër shkolla, ku personalitete të këtij sporti ndër vite do të referojnë. Do të organizohen aktivitete të ndryshme, me qëllime sociale dhe sesione shkencore për të risjellë në vëmendje personalitetet, që kanë dhënë kontribut të vyer për futbollin ndër vite, por edhe ngjarjet historike.
Gjithashtu, Federata ka nisur tashmë prej disa ditësh të përkujtojë në kanalet zyrtare në rrjetet sociale data historike, figura të futbollit dhe ngjarjet të tjera ndër vite, duke publikuar fakte dhe pamje historike të rralla nga arkivat.
Federata e Futbollit ka marrë masa që të gjitha klubet të cilat marrin pjesë në garat zyrtare të vendosin në fanellat e fubollistëve të tyre një logo të krijuar posaçërisht për të përkujtuar 90-vjetorin e themelimit të FSHF-së. Edhe futbollistët dhe stafet e ekipeve Kombëtare do të mbajnë në uniformat e tyre logot e 90-vjetorit në çdo dalje publike apo event.
Logot e 90-vjetorit të jenë prezente në çdo ndeshje apo event të organizuar përgjatë gjithë këtij viti jubilar.
Po këtë vit është programuar edhe hapja për publikun i muzeumit të futbollit, në stadiumin “Air Albania”, që do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë për të gjithë futbolldashësit.
Po kështu po punohet për përgatitjen dhe inagurimin një tjetër muzeumi, në “Shtëpinë e Futbollit”, që do të jetë një risi tjetër e jubileut.
Federata e Futbollit ndihet krenare për historinë 90-vjeçare dhe uron të gjithë komunitetin e futbollit GËZUAR 90-VJETORIN!