Laçi kërkon fitoren e parë për këtë vit, ndaj një kundërshtari që këtë edicion ka treguar probleme në takimet në shtëpi
Kurbinasit pasi bënë gjithçka mirë në Kupën e Shqipërisë, u ndalën në nj tjetër barazi në shtëpi, në një ndeshje mjaft të luftuar, ku gjeti forcën që të rikuperonte dhe pse në inferioritet numerik ndaj luftëtarit. Skuadra e Gentian Mezanit në kampionat ka humbur vetëm 1 ndeshje në 8 takimet e fundit, pikërisht në transfertën e Kamzës. Java e 21-të rezervon transfertën me Kukësin, një kundërshtar që i ka rrëmbyer pikë të plota në dy takimet e para. Tani, duket se shumë gjëra kanë ndryshuar pasi ndeshjet në shtëpi për Kukësin janë bërë makth dhe në kampionat nuk fiton prej më shumë se 4 muajsh. Në “Zeqir Ymeri” këtë edicion kanë fituar Partizani, Skënderbeu, Lushnja, Luftëtari dhe Kamza.
JONUZI – Fjoart Jonuzi është një nga lojtarët që po spikat te Laçi. Në sezonin e dytë me kurbinasit, kuksiani është një nga lojtarët më me perspektivë. Në këtë sfidë do të jetë me statusin e “ish”-it, pasi ka dalë nga akademia e Kukësit. Në të vërtetë, verilindorët nuk patën asnjëherë besimi, gjë që e gjeti te Laçi. Ai ka shënuar dhe më parë në Kukësi, ndaj skuadrës së qytetit të tij. Një tjetër motiv për të treguar se sa vlen. Këtë sezon ende nuk e ka bërë sefte në kampionat, ku i dihet. Këtë edicion është një lojtar kyç në formacion, i aktivizuar në 20 ndeshje, 19 prej te cilave që nga minuta e parë.
NIKA – Ansi Nika po ashtu ka qenë pjesë e Kukësit në sezonin 2015-2016 largua menjëherë sapo përfundoi sezonin. Tani është pjesë e kurbinasve dhe në takimin e fundit ishte protagonist duke shënuar dhe golin e barazimit. Në Kukësi ka shënuar vetëm një herë si kundërshtar, në kohën kur luante me Teutën. Duke ditur që nga Kukësi nuk u largua me shtrëngim duarsh, do të jetë një mundësi dhe për të që të tregojë se sa vlen.
SHTUBINA – Ndriçim Shtubina u largua në merkaton e janarit për të nisur një aventurë të re te bardhezinjtë. Me Kukësin luajti vetëm 306 ninuta në 10 ndeshje, ku nisi vetëm 1 nga minuta e parë. Në krahun tjetër me Laçin vetëm në 4 ndeshje në kampionat ka luajtur 214 minuta, duke bërë mjaft mirë. Në Kukës nuk i dhanë mundësinë duke mos i besuar për asnjë çast. Edhe Shtubina gjeti golin në fundjavë dhe duke treguar se po arrin formën e tij më të mirë. Shtubina dhe Nika realizuan, ndërsa Jonuzi ishte lojtari i ndeshjes. Bardhezinjtë synojnë pikë në Kukës, me tre lojtarët e tyre më në formë, që kanë një marsh më shumë në këtë takim.