Do të jetë një verë shumë e nxehtë në merkato, pasi gjithë klubet e mëdhenj kanë plane ambicioze dhe do të shpenzojnë pa fund.
Çelsi ka zgjedhur Mauricio Sarrin si trajner të ri dhe pritet vetëm zyrtarizimi, që vonohet nga klauzola prej 8 milionësh eurosh që Napoli ka vendosur në kontratën e ish-trajnerit të vet. Sarri në Londër nënkupton një vorbull të madhe merkatoje, sepse trajneri italian kërkon të marrë në Angli disa lojtarë të Napolit, apo “ish” të Napolit.
Gazzetta dello Sport shkruan se Sarri ka kërkuar me ngulm sulmuesin e Juventusit Gonzalo Higuain, të cilin e njeh mirë dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera. Juventusi dëshiron Alvaro Moratën dhe nëse merr spanjollin plus rreth 60 milionë euro, mund të bindet ta shesë sulmuesin e vet kryesor.
Ndërkaq, Sarri kërkon të rrëmbejë tre titullarë të Napolit, duke nisur nga besniku i tij Elseid Hysaj. Mbrojtësi i kombëtares sonë vlen 50 milionë euro, në bazë të klauzolës. Një aventurë në Angli natyrisht që e josh Hysajn, aq më shumë që paga do të rritej ndjeshëm, por Napoli do të bëjë gjithçka për ta mbajtur dhe mund të rinovojë.
Edhe mesfushori Zielinski mund të shkojë në Londër, sepse ka një klauzolë prej 65 milionë eurosh, por do të jetë më e vështirë që Çelsi të rrëmbejë qendërmbrojtësin Kulibali, i cili nuk ka klauzolë për prishjen e kontratës dhe ka deklaruar se dëshiron të punojë me Ançelotin.