Nga historia e dashurisë në “Facebook” te debutimi me Juventusin! Po, Xhakomo Vrioni lindi me këmishë…

Nga Klaudio Ndreca

Vetëm 21-vjeç dhe praktikisht në gjithë Europën është dëgjuar emri i Xhakomo Vrionit! Të debutosh me fanellën e Juventusit nuk është pak, duke shtyrë jo pak njerëz që të kërkojnë edhe të kaluarën e këtij sulmuesi.

Fanella e bardhezinjëve i përket vetëm yjeve të futbollit dhe Vrioni ka vrapuar me të në përballjen e djeshme ndaj Romës. Lojtari i lindur me këmishë! Sigurisht që mund të thuhet kështu, pasi deri tani fati nuk është treguar aspak i rezervuar me djaloshin.

Në kohën kur Sampdoria e kishte kartonin e tij e dërgoi në dy huazime, te Venecia dhe Citadela. Një sulmues që bie në sy për faktin se shtyn përpara skuadrën, por në asnjë prej këtyre dy aventurave nuk arriti që të shkëlqente, duke humbur edhe vendin e titullarit.

Kur të gjithë prisnin një tjetër largim drejt Serisë B, Vrioni papritmas kalon te Juventusi U-23. Pesë grumbullime nga ana e trajnerit Sarri dhe ndihmësi i këtij të fundit që e mban gjithmonë sulmuesin shqiptar pas stërvitjes, për t’i treguar në mënyrë individuale sesi të përmirësoj shënjestrën dhe t’i shmanget mbulimit të mbrojtësave kundërshtare.

Një vlerësim që kulmoi me debutimin ndaj Romës, por fati i Vrionit ndodhet në çdo aspekt. Pasi luajti për disa kohë me të rinjtë e Italisë, reflektimi e bëri që të vishte fanellën e kuqezinjëve. Ndeshja e parë debutuese me U-21 dhe vjen goli. Pikërisht në përballjen kundër Italisë U-21 duke nisur menjëherë festën me shqiponjë.

Ndërkohë debutimi me Kombëtaren A do të vinte në kohën e Panuçit përpara se të bëhej 20-vjeç, në mbrëmjen e datëlindjes së tij. Gjithashtu edhe dashuria e lindur me Sara Deljallisin, me të cilën vazhdon prej vitesh, ishte “e shkruar”. Vite më parë kishin qenë komshinjë në Shqipëri, por Vrioni e kishte harruar tërësisht. Teksa ishte duke hapur “Facebook” siç bënte gjithmonë, papritmas sheh mamanë e Sarës që kishte shpërndarë një foto të vajzës së saj. Menjëherë do t’i bënte përshtypje duke vendosur që t’i shkruajë, për të formuar kështu çiftin që vazhdon ende. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *