Nga “Futbolli për Kombin” te “Vision to Victory”, fjala e plotë e Presidentit Duka në prezantimin e strategjisë 2026-2030

Në prezantimin e strategjisë “Vision to Victory”, Presidenti Armand Duka, mbajti një fjalim të plotë ku prezantoi vizionin, objektivat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e futbollit shqiptar në katër vitet e ardhshme.

Duke reflektuar mbi ciklin e mëparshëm strategjik dhe sfidat përpara, Presidenti Duka theksoi se rreth 95% e objektivave të strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025” janë realizuar ose ndodhen në fazë të avancuar zbatimi, duke e cilësuar këtë periudhë si një bazë të fortë për ndërtimin e hapit të radhës.

Në vijim, kreu i FSHF-së nënvizoi se strategjia e re “Vision to Victory 2026–2030” është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar, duke vendosur objektiva të qarta për pjesëmarrjen, performancën, infrastrukturën, edukimin dhe qeverisjen.

Më poshtë, fjala e plotë e Presidentit Armand Duka e mbajtur në prezantimin e strategjisë “Vision to Victory 2026–2030”:

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të futbollit shqiptar,
të dashur partnerë, miq dhe bashkëpunëtorë,
përfaqësues të institucioneve, trajnerë, sportistë dhe dashamirës të futbollit,

I nderuar zoti Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja.

Mirëmbrëa dhe mirë se keni ardhur sonte në këtë natë të veçantë por shumë të rëndësishme për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për të gjithë komunitetin e futbollit në vend. Sot kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë të shpalosim para jush strategjinë e zhvillimit të futbollit shqiptar për katër vitet e ardhshme 2026–2030.

Federata, tashmë një institucion i konsoliduar, e ka ndërtuar rrugën e zhvillimit të futbollit me kujdes, përkushtim dhe guxim. Asgjë nuk i është lënë rastësisë. Çdo objektiv, çdo hap dhe çdo vendim janë planifikuar mbi baza reale, duke u mbështetur në nevojat konkrete, kapacitetet ekzistuese dhe në mundësitë për zhvillim. Kjo ka qenë filozofia jonë e punës dhe kjo filozofi na ka udhëhequr gjatë gjithë rrugëtimin tonë.

Në vitin 2022, prezantuam strategjinë “Futbolli për Kombin”, një dokument ambicioz, por realist, ku vendosëm objektiva të qarta dhe përcaktuam rrugën konkrete për arritjen e tyre. Strategjia u ndërtua në mënyrë të detajuar, e ndarë në fusha të qarta veprimi, me objektiva të matshme dhe me përgjegjësi të mirëpërcaktuara. Ajo nuk mbeti thjesht një dokument orientues, por u respektua, u ndoq me përkushtim dhe u zbatua në praktikë, duke prodhuar rezultate konkrete, të cilat u pasqyruan edhe në materialin filmik që sapo pamë.

Një nga objektivat kryesore të asaj strategjie ishte rritja e pjesëmarrjes në futboll. Ne synonim të arrinim 23 mijë futbollistë djem dhe 4 mijë futbolliste për vajza. Ky objektiv u realizua plotësisht 100% dhe u tejkalua për djemtë ndërsa u realizua 50% për vajza –  një tregues i qartë i progresit, por edhe i punës që ende na pret përpara, veçanërisht në zhvillimin e futbollit të vajzave.

Kjo rritje nuk erdhi rastësisht. Ishte rezultat i drejtpërdrejtë i projekteve të realizuara në shkolla, akademi, në klube, i përmirësimit të infrastrukturës sportive, i mbështetjes së fëmijëve me bazë materiale falas, si dhe i rritjes sasiore dhe cilësore të trajnerëve të futbollit.

Në futbollin e vajzave, strategjia “Rising Star” ka prodhuar rezultate konkrete: rritje të vazhdueshme të numrit të lojtareve, krijimin e ligave dhe festivaleve rajonale, programe të strukturuara të identifikimit të talenteve, kualifikimin e Vllaznisë në UEFA Women’s Champions League dhe marrëveshja e transmetit televiziv, duke rritur dukshmërinë dhe profesionalizmin e këtij sektori.

Gjatë këtij katërvjeçari, specialistë dhe personalitete nga më të mirët e futbollit shqiptar dhe atij europian kontribuuan në edukimin e 2,340 trajnerëve të rinj, nga niveli UEFA UEFA C deri tek A dhe UEFA PRO. Për t’u ardhur sa më pranë komuniteteve dhe për të shërbyer si model për akademitë e sportit, këto trajnime nuk u zhvilluan vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm lidhej me rezultatet e ekipeve kombëtare, si për djemtë ashtu edhe për vajzat.

Kombëtarja A e vajzave arriti fillimisht të ngjitej nga Liga C në Ligën B të UEFA Nations League dhe në edicionin pasardhës, siguroi qëndrimin në Ligën B, duke u pozicionuar mes skuadrave më konkurruese të kontinentit.

Ndërkohë, ekipet e moshave arritën pjesërisht objektivin e pjesëmarrjes në Elite Round, ndërsa Kombëtarja U-17 e djemve mori pjesë në finalet e Kampionatit Europian, që u zhvillua në vendin tonë– një eksperiencë e jashtëzakonshme për lojtarët, stafet dhe për gjithë futbollin shqiptar.

Objektivi më madhor i strategjisë “Futbolli për Kombin” ishte kualifikimi i Kombëtares A në një turne final, Kampionat Europian ose Botëror. Objektiv i realizuar dhe i tejkaluar, pasi ekipi kombëtar mori pjesë në finalet e UEFA EURO 2024 në Gjermani dhe sot është pjesë e fazës play-off të Kampionatit Botëror 2026, duke shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar.

Për të realizuar objektivat në futboll, është e pamundur pa një infrastrukturë të mirë. Dhe ky objektiv ka qenë një nga prioritetet kryesore të asaj strategjie. Ne kishim si synim të ndërtonim 100 fusha të reja futbolli dhe të kishim një bashkëpunim strategjik në çdo vit, duke realizuar 40 % të tyre për arsye të ndryshme. Sa i përket bashkëpunimeve strategjike, janë investuar në infrastrukturë 16,503,145 euro në total nga të cilat 6,764,793 euro nga projektet e federatës dhe të tjerat nga partnerët.

Në infrastrukturë, janë ndërtuar mbi 40 fusha të reja futbolli, si dhe janë zhvilluar 5 projekte madhore stadiumesh si ai i Egnatias, Partizanit, Vorës, Gramshit dhe Besës së Kavajës që është në proces. Për herë të parë u realizua një audit kombëtar i terreneve sportive, i cili sot shërben si bazë për planifikimin racional të investimeve. “Shtëpia e Futbollit” është konsoliduar si një qendër kombëtare ekselence për edukim, trajnim dhe administrim.

Për arritjen e objektivave ishin të domosdoshme: modernizimi i qeverisjes së Federatës, rritja e transparencës, digjitalizimi i proceseve, dhe niveli i lartë profesional, të gjitha këto të arritura e tejkaluara.

Sot me bindje mund të themi se kemi ndërtuar një administratë funksionale, efikase e të besueshme, e cila ka ndërmarrë hapa të qëndrueshëm drejt modernizimit dhe profesionalizimit institucional. Janë përmirësuar strukturat dhe proceset e vendimmarrjes, janë konsoliduar praktikat e menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm, si dhe është forcuar përputhshmëria me standardet dhe kërkesat e vendosura nga UEFA dhe FIFA.

Jemi fokusuar me shumë kënaqësi e zell për të realizuar një objektiv tjetër shumë te rëndësishëm: forcimin e rolit social të futbollit, duke e përdorur atë si mjet edukimi, integrimi dhe përfshirjeje, përmes projekteve komunitare, programeve gjithëpërfshirëse dhe nismave sociale, të cilin me krenari mund të themi se e kemi realizuar falë edhe bashkëpunimeve me partnerë dhe grupe interesi.

Federata ka kaluar me sukses nga iniciativa të shpërndara në një sistem të strukturuar dhe funksional, duke realizuar plotësisht objektivat e strategjisë “Futbolli për Kombin”.

Sot, në përfundim të këtij cikli katërvjeçar, mund ta themi me përgjegjësi të plotë se 95% e këtyre angazhimeve janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi.

Të gjitha këto na çojnë në një përfundim të qartë:
strategjia “Futbolli për Kombin” është ndjekur, zbatuar dhe ka rezultate konkrete.

Mbi bazën e rezultateve që sapo paraqitëm, dhe situatës aktuale në vend vijmë para jush me strategjinë e re “Vision to Victory 2026–2030”. Kjo strategji është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar.

Një prioritet i qartë, si bazë e rëndësishme për arritjen e objektivave, është zhvillimi i burimeve njerëzore. Deri në vitin 2030 synojmë një rritje të mëtejshme 30% të trajnerëve të licencuar, vijimin e rregullt të kurseve UEFA C në të gjithë territorin e vendit dhe konsolidimin e programeve UEFA A dhe UEFA Pro. Në të njëjtën kohë, do të rritet numri dhe cilësia e arbitrave të rinj dhe do të forcohet profesionalizmi i drejtuesve sportivë dhe stafit administrativ.

Në drejtim të qeverisjes dhe digjitalizimit, synimi është që proceset kryesore administrative dhe sportive të funksionojnë plotësisht në mënyrë të digjitalizuar dhe të bazuar në të dhëna. Kjo do të na mundësojë për raportim më të rregullt, vendimmarrje më të saktë dhe rritje të transparencës ndaj klubeve, akademive, partnerëve dhe publikut.

Deri në vitin 2030, synojmë që të arrijmë një numër futbollistësh djem të regjistruar 26 mijë nga 24,078 që janë sot, pavarësisht sfidave demografike me të cilat përballet vendi. Kjo rritje do të vijë përmes zgjerimit të programeve në shkolla dhe komunitete, forcimit e rolit të shoqatave rajonale, mbështetjes së drejtpërdrejtë të klubeve për moshat e vogla, krijimit të më shumë aktiviteteve të organizuara për fëmijët dhe të rinjtë, përmirësimit të infrastrukturës, vazhdimit te projekteve “Uniforma Ime” dhe “Topi YT”.

Brenda këtij angazhimi, një vëmendje e veçantë i kushtohet futbollit të vajzave. Deri në fund të ciklit strategjik synojmë që numri i vajzave të regjistruara të rritet të paktën me 50%. Kjo do të realizohet përmes incentivimit financiar të klubeve që investojnë në futbollin e vajzave, zgjerimit të garave kombëtare dhe rajonale, programeve të identifikimit të talenteve dhe rritjes së ekspozimit dhe dukshmërisë së futbollit të vajzave.

Paralelisht, strategjia synon ndërtimin e një sistemi të unifikuar kombëtar për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve, ku akademitë elitare dhe klubet profesioniste të punojnë mbi metodologji të përbashkëta unike trajnimi. Qëllimi është të rritet numri i lojtarëve shqiptarë që aktivizohen në kampionate elitare europiane dhe të sigurohet që ekipet kombëtare të moshave të jenë rregullisht konkurruese në fazat finale të kompeticioneve të UEFA-s.

Në aspektin e infrastrukturës, deri në vitin 2030 synojmë të shtojmë 30 deri në 40 fusha të reja futbolli, nga projektet e Federatës, kryesisht në rajonin e Tiranës, ku edhe dendësia e popullsisë është edhe më e madhe, që mund të ndikojë në përmirësimin e raportit popullsi–fusha, e cila fatkeqësisht sot është në nivele të pakënaqshme me 1 fushë futbolli për 18,981 banorë në një kohë që në vendet më të zhvilluara europiane kanë një raport: 1 fushë futbolli për 3800 banorë.

Por objektivi real dhe nevoja e domosdoshme në rang kombëtar duhet të jetë ndërtimi i 200 fushave të reja futbolli, i cili nuk mund të arrihet nga Federata, por kërkon mbështetjen nga buxhetet e shtetit.

Objektiv strategjik shumë i rëndësishëm mbetet rritja e numrit të spektatorëve në shkallët e stadiumeve në kampionatet kombëtare të të gjitha niveleve. Kjo do të arrihet në bashkëpunim me klubet profesioniste dhe akademitë, duke i asistuar ato me projekte konkrete dhe duke synuar të njëjtën qasje si në ekipin kombëtar A.

Shumë i rëndësishëm është edhe dimensioni financiar. Strategjia synon rritjen e të ardhurave komerciale dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata, në mënyrë që investimet në futbollin e bazës, zhvillimin e talenteve dhe infrastrukturën të jenë të qëndrueshme në kohë dhe të planifikuara në mënyrë strategjike.

Forcimi financiar i klubeve dhe akademive të futbollit. Ato sot vuajnë financiarisht dhe zhvillimi do të jetë shumë i ngadaltë pa mbështetje e incentiva financiare qoftë dhe i përkohshëm. Do të vazhdojmë mbështetjen financiare direkte nga buxhetet e federatës, siç kemi bërë këtë për vitin 2026 me 3 milion euro, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë për finalizimin e ligjit të Sponsorizimeve në Sport. Progresi i futbollit dhe e të gjithë sportit shqiptar do të jetë shumë i ngadaltë pa një ligj të tillë.

Objektivat për ekipet kombëtare mbeten:

  • Pjesëmarrja e ekipit A të djemve në turnetë final Europian dhe Botëror dhe renditja në vendin e 50-të të FIFA-s.
  • Ekipi U-21 kalimi i fazës së grupeve në Euro 2027, i cili do të zhvillohet në vendin tonë dhe kualifikimi në fazën finale të Euro 2029.
  • Qëndrimi në Ligën B i ekipit kombëtar të vajzave dhe synimi për t’u kualifikuar në kampionatin Europian 2029 në Gjermani.

Këto objektiva nuk janë deklarata vullneti. Ato do të shoqërohen me plane vjetore zbatimi, tregues performance, monitorim të rregullt dhe raportim publik. Sepse për ne, strategjia nuk matet nga ajo që shkruhet, por nga ajo që realizohet në terren.

Dëshiroj të falënderoj Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Z. Gonxhja, i cili me marrjen e detyrës ka bashkëpunuar shumë mirë dhe është interesuar për zhvillimin e futbollit. Kam shumë besim se me mbështetjen e tij, ne do ta realizojmë ligjin e shumëpritur të sponsorizimeve.

Dëshiroj të shpreh një falënderim të veçantë për ekspertët e UEFA-s dhe ekipin e UEFA Grow për mbështetjen dhe ekspertizën e tyre në hartimin e kësaj strategjie. Po ashtu, falënderoj stafin e FSHF-së, shoqatat rajonale, klubet dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në këtë proces.

“Vision to Victory” është një ftesë e hapur për të gjithë ju. Një ftesë për unitet, për ambicie dhe për besim. Vetëm së bashku mund ta kthejmë vizionin në fitore – jo vetëm në rezultate sportive, por në një futboll që zhvillon njerëzit, komunitetet dhe vendin tonë.

Katër vitet që vijnë do të jenë vendimtare. Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim, jam i bindur se do ta çojmë futbollin shqiptar në një nivel të ri.

Le ta ndërtojmë së bashku këtë rrugëtim.
Le ta kthejmë “Vision to Victory” në sukses të përbashkët.
Faleminderit!