Ndonëse Seria A nuk ka përfunduar ende, në Itali e kanë mendjen te merkatoja e verës, që gjithnjë ndiqet me vëmendje të madhe nga tifozët. Me interes priten lëvizjet e Milanit, që po mbyll një sezon zhgënjyes dhe ka nevojë për një revolucion të ri, por nuk ka fonde dhe duhet të shesë lojtarë urgjentisht.
Sot Sky ka publikuar një listë të lojtarëve që pritet të lënë Milanin në verë, gjithnjë nëse vjen oferta që kënaq të gjitha palët.
DONARUMA – Të dielën portieri kuqezi mund të luajë ndeshjen e fundit si kuqezi. Për momentin Milanit nuk i ka shkuar asnjë ofertë, por 19-vjeçari mbetet shumë i vlerësuar në treg, edhe pse në ndeshjet e fundit ka bërë gafa. Tifozët i kanë bërë dalje, Milani ka probleme me Mino Raiolën, ndaj shanset që Donaruma të largohet janë të mëdha, aq më shumë që është afruar falas Pepe Reina dhe porta do të ishte në duar të sigurta.
ABATE – Konti do të kthehet në formë optimale pas dëmtimit të rëndë, ndërsa Kalabria ka rinovuar pak muaj më parë. Për këtë arsye, Abate del i tepërt, duke parë edhe moshën e tij, sepse Milani kërkon një skuadër sa më të re.
ZAPATA, ANTONELI e MONTOLIVO – Të tre kanë edhe një vit kontratë, por kanë luajtur pak këtë sezon dhe nuk kanë asnjë peshë reale në skuadrën e Gatuzos. Nëse vjen ndonjë ofertë e mirë, largohen, ose edhe mund të tentohet prishja e kontratës me mirëkuptim, për të hequr qafe pagat e tyre.
SUSO – Spanjolli ka një klauzolë prej 40 milionë eurosh për prishjen e kontratës dhe nëse vjen oferta që e josh, Milani nuk ka ç’bën. Vetëm një rinovim dhe rritje klauzole mund të ndryshojë gjithçka.
KALINIÇ – Edhe sulmuesi kroat do të luajë ndeshjen e fundit si kuqezi këtë fundjavë. Ka zhgënjyer totalisht, nuk ka shans që Milani ta mbajë më, edhe pse kontrata mund të bëhet pengesë dhe çmimi i lartë mund të frenojë klubet që e duan sulmuesin.