Rivalizimi është i madh për titullin në Serinë A mes Milanit dhe Interit. Kuqezinjtë ndodhen në vendin e parë me dy pikë më shumë se zikaltërit, por me një ndeshje më tepër të zhvilluar. Pas shumë vitesh vijmë në elitën e futbollit italian ku dy ekipet e Milanos po diskutojnë titullin me njëra-tjetrën.
Por padyshim që duhet të themi se kjo nuk është mënyra më e bukur. Roma kishte 12 ndeshje të fundit pa humbje dhe është mundur në transfertën me Interit në shifrat 3-1. E si për të ushqyer të gjitha mendimet që mund të vinin në kampin e tifozëve të Milanit, Murinjo ua shtoj më tepër vuajtjen duke i dhënë material.
Nëse portugezin e kemi parë në çdo ndeshje duke fajësuar arbitrat, për gabime që ishin vetëm në mendjen e Murinjos, për herë të parë portugezi do të “dashurohej” me kryesorin dhe kjo ndodhi në humbjen 3-1. Gjithashtu trajneri i Romës është shprehur se tani do të deklarohet hapur se dëshiron që Interi të fitojë Skudeton.
Për të kaluar te ajo përmbysja e Milanit në mbrëmjen e djeshme ndaj Lacios, në shifrat 1-2. Menjëherë pasi kuqezinjtë shënuan golin e dytë në minutën e fundit, Acerbi që gaboi në momentin vendimtar, nxjerr topin nga rrjeta duke qeshur. Mariusic shkon për t’i ulëritur në fytyrë dhe skena bën xhiron e rrjeteve sociale.
E sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, COVID-19 dha ndikimin e tij në këtë garë. Situata mund të ndryshonte tërësisht nëse ndeshja mes Bolonjës dhe Interit do të ishte luajtur disa kohë më parë. Në programim kjo ndeshje e prapambetur do të zhvillohet pas dy ditësh teksa jemi edhe katër javë nga fundi i Serisë A. Historia e titullit në këtë kampionat po kthehet si një komedi ku aktorët po dalin hapur në skenë. Milan apo Inter? Sido të shkojë skenari, në fund fituesi do t’i gëzohet titullit si asnjëherë më parë pasi vjen në garë me rivalin e përjetshëm. /Sport Ekspres/