Tirana është në një moment të vështirë. 24-herë kampionët nuk fitojnë prej 7 ndeshjesh, duke u pozicionuar në vendet e fundit të klasifikimit. Ndeshja e radhës për skuadrën e Memës është ajo me Partizanin. Kur bëhet fjala për derbin, situata ndryshon dhe gjithçka shumëzohet me zero.
Tifozët janë të zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës, por në “derbi” pritet që të mbushin sektorët e tyre dhe presin që skuadra të marrë një fitore, që ,mungon prej vitesh, në mënyrë që hendeku mes tifozëve dhe ekipit të ngushtohet.
Sa i përket gjendjes së skuadrës, me shumë mundësi Dejan Blazhebski do të jetë gati për këtë sfidë. Në mungesë të Grecës, i pezulluar për shkak të kartonëve, rikthimi i maqedonasit do të plotësonte një boshllëk jo të vogël në repartin e avancuar. Sulmuesi u bashkua javën e shkuar me skuadrën në stërvitje dhe mund të marrë konfirmimin e stafit mjekësor që të ketë disa minuta në takimin me Partizanin.
Një lajm i madh mund të jetë grumbullimi i Gentian Muçës për këtë ndeshje. Mbrojtësi mungon prej muajsh, pasi ka pasur një problem shëndetësor, por që fatmirësisht e la pas dhe tani është gati për t’u rikthyer në fushat e blerta. Muça është një prej lojtarëve më të dashur për tifozerinë bardheblu. Ish-kapiteni është aktivizuar me skuadrën e dytë në ndeshjet e fundit dhe me shumë mundësi mund të jetë në stol për takimin me Partizanin. Bashkimi i tij me grupin do të sillte një klimë akoma më pozitive në skuadër.