Partizani do të përballet nesër me Bate Borisovin në ndeshjen e vlefshme për turin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve. Trajneri Zekiç do të debutojë në stolin e të kuqve në një ndeshje mjaft delikate, teksa përballë do të ketë një ekip me eksperiencë në Europë. Trajneri i Partizanit ka qenë sot i pranishëm në konferencë për shtyp, ku ka folur rreth sfidës që e pret mbrëmjen e nesërme. Kroati ka pranuar se koha që ka pasur në dispozicion nuk është e mjaftueshme, por në krahun tjetër refuzon të krijojë alibi, duke theksuar se lojtarët do të hyjnë në fushë vetëm për një rezultat pozitiv.
“Jam prej një muaji këtu. Kam pasur vetëm 25 ditë për ta përgatitur këtë takim. Kemi punuar mjaft mirë. Nuk është e rëndësishme të flasim sot, por që nesër në fushë të bëjmë më të mirën. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, duke parë edhe afatin e shkurtër kohor. E kam ideuar formacionin. Sot është stërvitja e fundit, por nuk është mirë që ta them, sepse edhe në stërvitjen e fundit mund të ndodhin të papritura. Në futboll nuk mund të konsiderohen kush janë pikat e dobëta apo kush janë pikat e forta.
Nesër luajmë 90 minuta dhe janë shumë të rëndësishme. Unë kam folur me skuadrën gjatë këtyre 25 ditëve, se si duhet ta përballojmë këtë ndeshje. Kemi lojtarë të huaj, kemi dhe lojtarë shqiptarë. Duhet ta përballojmë këtë ndeshje me mentalitetin e duhur. Kam parë pesë ndeshjet e fundit të Bate Borisovit. Është një skuadër e mirë me lojtarë cilësorë. Por ne duhet të japim më të mirën në fushë, të jemi të përqendruar dhe të arrijmë objektivin tonë për skuadrën, për klubin, për tifozët. Kemi folur shumë me ekipin, se si të sulmojnë dhe se si të mbrojnë. Në këtë moment nuk mendoj për lojtarë të rinj që mund t’i afrohen skuadrës, sepse aktualisht me grupin që kam, mendoj që kam lojtarë mjaft të mirë. Është e rëndësishme të kemi rezultat të mirë dhe të kem më shumë kohë të punoj me këtë grup lojtarësh. Çdo gabim në Europë të kushton shtrenjtë.
Nuk është se dua të krijoj alibi, por kam pasur një kohë të shkurtër për të punuar me këtë grup lojtarësh. Jo vetëm në ndeshjen e parë, por edhe në të fundit, unë kam si objektiv të fitoj. Nuk më intereson nëse luajmë mirë apo nëse luajmë keq, më intereson vetëm rezultati. Nesër duhet të luajmë sikur kemi 2 vite bashkë. Nëse mendon gjithmonë për problemet, atëherë do të jesh gjithmonë viktimë e tyre dhe nuk mund të vijë progresi. Kam idetë e mia dhe dua që t’i ndihmoj lojtarët e mi.”, ka deklaruar Zoran Zekiç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/