“Nëse Tirana eliminohej në turin e parë, “gazetarët” do gjenin arsyen”! Duka komenton “historitë shqiptare”

Përse Tirana u eliminua nga “Play Off” i Europa League? Sigurisht që kësaj pyetje i jepet menjëherë përgjigja pasi Young Boysi tregoi në fushën e lojës se ishte shumë hapa më përpara se bardheblutë. Por a ndikojë bojkoti i kampionatit në këtë paraqitje të Tiranës? Disa analistë e kanë parë në këtë mënyrë, por nga krahu tjetër ekipi kishte gjithë kohën për t’u përgatitur vetëm për Young Boys dhe duhej të ishte më i freskët, për të vrapuar dhe dhënë gjithçka për 90 minuta.

Për të kaluar më pas me rastin e “Champions League”, atje ku në gjysmëfinale pas pandemisë kaluan dy ekipe franceze që futbollin dhe kampionatin e kishin harruar prej muajsh, pasi shteti në Francë e mbylli menjëherë këtë sport dhe e dha verdiktin në tavolinë. Por Lioni do të kthehej me ritëm të frikshëm për të bërë surpriza, po ashtu si edhe PSG që mbërriti deri në finale. Pra pjesa e të qëndruarit larg fushës së blertë për zhvillimin e një ndeshje të kampionatit nuk mund të shihet si arsyeja kryesore e eliminimit të Tiranës. I ftuar në emisionin “JAVA” në RTSH, presidenti i RTSH, Armand Duka është shprehur se për këtë rast do të kishte gjithmonë një koment nga ana e analistëve sa i përket Tiranës.

“Nuk kam ardhur këtu për të komentuar çështjet që janë teknike të ndeshjeve. Nëse Tirana do të luante dy ndeshje në javë do të thonin se ishte e lodhur prandaj humbi. Nëse do të ishte eliminuar që në ndeshjen e parë do të gjenin disa “gazetarë” disa arsye se përse u eliminua. Por unë e shoh si një sukses që Tirana ka shkuar deri në “Play Off” pasi nuk është përsëritur shpesh në Shqipëri. Ka ndodhur vetëm me Skënderbeun që ka kaluar më tej. Për këtë arsye unë e shoh më tepër si sukses që kjo skuadër mbërriti deri këtu se si dështim”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *