Zabaleta është i bindur se Shqipëria mund të lërë gjurmë në Europianin e Gjermanisë. Ndihmësi i Silvinjos beson se kuqezinjtë kanë shumë për thënë në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë sa i përket nivelit të Kombëtares. Në një intervistë për “ABC News”, Zabaleta nuk ishte aspak i frikësuar për mungesën e vazhdimësisë së disa prej lojtarëve të Shqipërisë në klubet e tyre. Sipas tij, në një stadium në Gjermani që do të luhet me 70% të tifozëve që përkrahin Shqipërinë dhe nuk ka motivim, atëherë është e kot që të flasësh për futbollin.
“Të jem i sinqertë, është një mrekulli në Shqipëri, shumë më mirë nga çfarë e prisnim. Një vend i mrekullueshëm, me njerëz të mrekullueshëm, me Federatë shumë të mirë. Armand Duka është gjithmonë pranë nesh, na mbështet për atë që kemi nevojë. Jemi të rrethuar nga profesionistë dhe njerëz shumë të mirë.
Mendoj se ne duhet të kemi besim se mund t’ia dalim. Nëse nuk shkojmë në Europian me këtë mentalitet, ne nuk do të kemi asnjë shans. Ndoshta disa nga lojtarët nuk po luajnë sa duhet, herë luajnë, herë. Gjithsesi, kur ata të jenë në Europian, unë jam I sigurt se ata do të japin maksimumin. Ata e dinë se në stadiume, 70 për qind e tifozëve do të jenë shqiptarë. Nëse nuk frymëzohesh as nga një atmosferë e tillë, do të thotë se nuk ke lidhje me futbollin.
Gjëja që na shqetëson më shumë është ana shëndetësore, ana fizike e lojtarëve. Ne lutemi që ata të mos kenë ndonjë dëmtim të rëndë, që t’i lejë jashtë Europianit. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Dakord, disa prej tyre luajnë rregullisht, disa të tjerë jo aq shumë, por mendoj se që të gjithë do të jenë ashtu siç duhet në aspektin fizik. Nuk shqetësohemi për këtë. Gjithsesi, siç themi ne në Argjentinë, ne ndezim një qiri dhe lutemi çdo ditë që asnjë prej tyre të mos dëmtohet dhe të mos mbetet jashtë Europianit”, tha Zabaleta. /Sport Ekspres/