Myrto Uzuni është vetëm një hap grupeve të “Champions League”, për të kompletuar kështu një punë të vështirë që ka nisur prej vitesh që arrin kulmimin e saj. Ferencavarosh do të ndeshet ndaj Moldes për takimin e kthimit, ndërsa ndeshja e parë që luajti ekipi hungarez në transfertë u mbyll në shifrat 3-3.
Një gol “alla Kristiano Ronaldo” do të shënonte Uzuni me kokë, për të dëshmuar edhe njëherë rëndësinë jetike që ka marrë në skuadrën e re. Te Ferencvaroshi janë shumë optimist se do të jenë ata skuadra që do të kalojë në “Champions League”, megjithëse nuk fshihet dëshpërimi për faktin se nuk mbajtën dot avantazhin e krijuar në shifrat 0-2.
Por kur e kthejnë kokën pas, do të firmosnin për shifrat 3-3. Drejtori sportiv i Ferencvarosh, Tamas Hajnal, e sheh në një mënyrë të tillë: “Ka dy përjetime për këtë rezultat. Nëse dikush do të na thoshte se në fundin e ndeshjes rezultati do të jetë 3-3, pa u menduar dy herë dhe pa thënë asnjë fjalë më tepër, ashtu si ne kemi bërë shaka, nuk do të udhëtonim fare. Por kur e mendon se ishim 2-0 në avantazh, e sheh disi më ndryshe. Gjithsesi nuk ka vend për dëshpërim. Ajo që ne kemi marrë është padyshim nëj rezultat i mirë”, ka thënë zyrtari i Ferencvarosh. /Sport Ekspres/