Kampionati po hyn në fazën e tij të fundit dhe Tirana duket gjithnjë e më afër titullit kampion. Por pas “Abissnet Superiores“ vjen një sfidë akoma më e madhe, rrugëtimi europian. Florian Riza tregon çelësin e suksesit në Kupat e Europës në emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”. Sipas tij, mënyra më e mirë për të pasur sukses dhe për të pasuruar arkat e klubeve është vazhdimësia pa pushim nga kampionati në kompeticionet europiane. Riza thekson se klubet duhet të shtojnë miqësoret në periudhën pas mbarimit të kampionatit shqiptar dhe fillimit të play off-eve për Champions League, si dhe gjatë gjithë kësaj kohe ekipi nuk duhet të pushojë për asnjë moment në mënyrë që të ruhet forma e duhur fizike.
“Të fitosh kampionatin dhe të shkosh në turin e parë të Ligës së Kampionëve automatikisht je i fituar. Problemi është të shkosh mbi këtë. Nëse fiton ndeshjen e parë që shorti të vë përballë me një ekip relativisht më të dobët se Tirana në Champions League, ti automatikisht hyn në në “play off”-et radhazi. Pra hyn në play off-in e Champions League-s, në play off-in e Europa League-s nëse skualifikohesh nga ky i Champions League-s dhe nëse skualifikohesh nga ai i Europa League-s shkon në play off-in e Conference League-s. Pra, janë tre play off-e radhazi që vijnë vetëm nga një ndeshje.
Pra nëse një ekip do që të jetë përfaqësues dhe të fitojë 5 milionë euro, duhet të jetë i përgatitur për të kaluar një ekip që është më ulët se sa Tirana sa i përket gjendjes së përgjithshme, pikëve që ka, koefiçentëve që ka e kështu me radhë. Nëse do që vërtetë të hysh do të thotë që mos të kesh asnjë ditë pushim, as ditën që mbaron kampionati, as ditën që shpallesh kampion. Pra non-stop stërvitje, gjetja e pikave të dobta, përforcimi i ekipit, mbajtja nën grumbullim gjatë gjithë kohës që të jesh i gatshëm që ky sezon i Champions League-s për sezonin 2022/2023 të mos gjejë asnjë ditë pushim.
Me sa di unë ka një periudhë kohe që i jepet ekipit të pushojë. Unë me këtë nuk jam. Nëse ka sakrificë, ky është momenti i sakrificës. Lojtarët me grupe mund të pushojnë, ekipi nuk mund të pushojë kurrë. E gjithë periudha midis fundit të kampionatit dhe fillimit të aktivitetit ndërkombëtar të Champions League-s duhet të jetë i veshur me shumë ndeshje miqësore. Zakonisht ne jemi orientuar drejt stërvitshmërisë shumë të madhe, ndërsa unë them duhet të jemi drejt ndeshjeve miqësore“, ka thënë Florian Riza./Halit Delibashi-Sport Ekspres/