Pas rikthimit të Bonuçit te Juventusi, një tjetër hap mbrapa i ngjashëm pritet të ndodhë në Spanjë. Nejmar po mendon të largohet nga Paris Seint Zhermen, për të riveshur sërish ngjyrat “blaugrana”. Ka kaluar diçka më tepër se një vit nga transferimi rekord prej 222 milionë euro nga katalanët te klubi parizien, që pagoi klauzolën për prishjen e kontratës së sulmuesit, duke krijuar një klimë armiqësie ndërmjet dy skuadrave.
Gjatë kësaj periudhe, kapiteni i “seleçaos” po mendon rikthimin në Spanjë dhe më saktësisht në “Kamp Nou”. Në këto momente, zërat rreh interesimit të Realit të Madridit duken shumë të largët, pavarësisht se gjatë verës që kaloi, presidenti Florentino Perez e kishte vendosur “O’ Ney” në krye të listës së dëshirave, për të zëvendësuar Kristiano Ronaldon.
Mediat franceze, ashtu si edhe ato spanjolle, shkruajnë se Nejmar është penduar që u largua nga Katalonja, aty ku ndihej se ishte në hijen e Lionel Mesit, diçka që ia bënte të pamundur ambicien për të fituar “Topin e Artë”. Megjithatë, eliminimi i sezonit të kaluar të PSG-së nga Reali i Madridit, duket se e bindi brazilianin se skuadra franceze nuk mund të jetë mjaftueshëm konkurruese me gjigandët e tjerë të Europës.
Mes arsyeve të tjera, janë edhe situatat e pakëndshme në Paris. Nga problemet e hershme me Kavanin, për të caktuar se cili prej tyre do ti ekzekutonte penalltitë, te shpërthimi i Kilian Mbape. Talenti francez është kthyer në një rival të fort të Nejmar dhe ka fituar popullaritet jo vetëm brenda ekipit, por mbi të gjitha mes tifozëve dhe mediave. Në situatën e krijuar, nga Barça kanë ardhur sinjale pozitive.
Sipas “Mundo Deportivo” dhe “RAC1”, presidenti Bartomeu ka informuar senatorët e ekipit për këtë mundësi dhe të gjithë janë shprehur pozitiv, që Nejmar të luajë sërish me “blaugranat”. Gjatë muajve të kaluar, sulmuesi e ka vizituar shpesh Barcelonën, ku ai ka mbajtur kontakte me emra si Ter Stegen, Rakitiç, Rafinja, Suarez dhe Mesin, përveç bashkëkombasve Kutinjo, Arthur e Malkom. Rikthimi i Nejmar në “Kamp Nou” nuk pritet të ndodhë përpara verës së vitit 2020, sipas një marrëveshje xhentëllmenësh, që lojtari ka arritur me presidentin Al-Khelaifi, për një shifër rreth 215 milionë euro, të parashikuar në klauzolën për prishjen e kontratës.