Në ndeshjen e fituar në shtesë përballë Argjentinës me golin e Mirandas, vëmendja u përqendrua te ylli i Brazilit, Nejmar. Kapiteni i “seleçaos” hyri në “Top 10” të lojtarëve që kanë më tepër ndeshje me përfaqësuesen. Plot 94 takime për sulmuesin e Paris Seint Zhermen, i cili do të vazhdojë ngritjen në këtë klasifikim special.
Ronaldonjo është vetëm tre ndeshje larg, ndërsa 4 prezenca më tepër me Brazilin kanë Ronaldo dhe Djalma Santos, ndërsa në krye është Kafu. Pas kësaj arritje personale, Nejmar zbuloi edhe arsyen përse mban numrin 10 me ekipin Kombëtar. Një zgjedhje, e cila sipas lojtarit ishte e detyruar, sepse ai do të preferonte numrin 7 ose 11.
“Idhulli im më i madh ka qenë gjithmonë Robinjo. Te Santosi dëshiroja të luaja me numrin e tij, 7, dhe kjo ndodhi. Më pas, kur u kthye në skuadër, i’a riktheva numrin dhe nisa të luaja me 11-n, që është numri im i dytë i preferuar”, rrëfeu Nejmar për “UOL Esporte”. Në Brazil, numri 10 lidhet me legjendën Pele, një trashëgimni që peshon edhe për atë që cilësohet si një prej talenteve më të mëdhenj të Brazilit.
Kur nisi të aktivizohej me përfaqësuesen, Nejmar zgjodhi numrin 11, por në një moment situata ndryshoi: “Përpara Kupës së Konfederatave, kur ishte Skolari, trajneri po ndante numrat. I thashë që doja të merrja 7-n ose 11-n, por në atë moment Dani Alvesh më tha: ‘Ti je numër 10, merre! Duhet të marrësh përgjegjësitë dhe të mbash atë numër’. Kështu nisi historia e Nejmar me fanellën e Brazilit, që zgjati edhe sot…