Nejmar: Humbja 7-1 më del në ëndërr, dua revansh ndaj Gjermanisë

Ylli brazilian ka folur për gjithçka në një intervistë të gjatë të dhënë për portalin gjerman “Spox”

 

Brazili vjen në Botërorin 2018 në Rusi me petkun e favoritit. Dëshira për të harruar sa më shpejt turpërimin historik në Botërorin  shtëpisë katër vjet më parë është e madhe. Skuadra duket në formë dhe mbi të gjitha Brazili do të mbështetet sërish tek lojtari më i shtrenjtë në botë, Nejmar. Verën e kaluar ai la Barcelonën për Paris SG-në për shumën rekord të 222 milionë eurove. Dhe natyrisht që shpresat e mëdha të brazilianë janë varur te ai. Katër vjet më parë ai “tradhtoi” Brazilin me dëmtimin e frikshëm në takimin kundër Kolumbisë. Nuk ishte në fushë kur Brazili i tij u poshtërua nga Gjermania. Tani katër vjet më vonë ai është gati të udhëheqë Brazilin drejt titullit të gjashtë dhe të hakmerret për atë 1-7 kundër Gjermanisë që është gdhendur në histori. Në një intervistë të gjatë të dhënë për portalin gjerman “Spox”, Nejmar është ndalur te shumë tema, sikurse dhe tek shuma që Parisi pagoi për të.

– Nejmar, kur nisët të dashuroheshit me futbollin?

– Që në fëmijëri do të thoja. Që kur isha fëmijë shkoja në stadium për të parë Santosin. Kjo ishte pikënisja ime me futbollin, këtu nisi dashuria ime për këtë sport. Pasi shkova edhe disa herë të tjera në stadium nisa të bëhem tifoz i flaktë i Santosit dhe më pas nisa dhe të luaj për këtë ekip.

– A e kishit menduar ndonjëherë se do të ktheheshit në një yll botëror, por në fillimet e tua mendoje vetëm të bëheshe një futbollist profesionist?

– Të them të drejtën gjithnjë kam kërkuar të bëhem dikush, jo thjesht të luaja futboll. Që në fëmijëri e kam ëndërruar të shkoja sa më lart. Dhe doja të arrija majat që kur nisa të luaj për klubin tim të parë. Futbollin e kam nisur 11 vjeç. Isha disa i dobët, por ditë pas dite punoja fort për t’u bërë më i miri dhe të arrija maksimumin tim. Çdo ditë të jetës sime kam punuar fort për të arritur sa më lart, për të përmbushur ëndrrat e mia, për të realizuar qëllimet që i kisha vënë vetes. Në radhë të parë dëshiroja të bëhesha një profesionist. Kur isha i vogël ëndërroja të luaja për Santosin. Po ashtu ëndërroja dhe fanellën e Brazilit dhe Evropën, që një ditë të shkëlqeja dhe këtu. Nuk ishte e thënë se do të kisha sukses, por nuk kam hequr dorë nga puna.

– Pas vitesh punë a mendoni se kishte ardhur një moment kur ju vërtet e besonit se do të realizonit disa prej ëndrrave tuaja?

– Nuk mund të them se ka pasur një moment të tillë. Gjithçka ka qenë një zhvillim gradual. E përmenda dhe më lart se kam punuar shumë dhe sa më shumë punoja aq më pranë syve e kisha objektivin tim.

– Jo shumë vite nga debutimi juaj si futbollist, arritët të bëheshit lojtari më i shtrenjtë në histori. Për ju janë paguar 222 milionë euro. Si ndiheni për këtë?

– Nuk më kënaq, nuk më bën krenar shifra që është paguar për mua. Nuk ëhstë ndonjë arritje e madhe të bëhesh lojtari më i shtrenjtë në botë. Këtu po flasim vetëm për para dhe asgjë tjetër dhe nuk është normale. Personalisht do të kisha paguar më pak për veten time (qesh).

– Çfarë ju kënaq më shumë, çfarë ju bën krenar?

– Jam krenar dhe i lumtur pasi e kam realizuar ëndrrën time që kam pasur në fëmijë dhe që i përmenda më lart. Sigurisht që jam krenar që kudo ku kam luajtur më kanë pritur mjaft mirë dhe kam arritur suksese të shumtë. Gjithkush duhet ta tregojë në fushë se sa i vlefshëm është për ekipin. Vetëm paratë, sado shumat të jenë kolosale nuk mjaftojnë për të treguar se sa i zoti je.

– A mbani kontakte me miqtë e vjetër?

– Pa diskutim. Për fat të keq nuk kam shumë kohë për t’u takuar më shpesh dhe për të kaluar më shumë kohë me miqtë e mi. Gjithsesi mund të saktësoj se dy nga miqtë e mi të afërt janë në Paris. Njeriu ka gjithnjë nevojë për miqtë e mirë. Shpesh kujtoj fëmijërinë time në Brazil dhe kjo më ndihmon të ec përpara.

– Ju jeni 26 vjeç dhe gjatë karrierës tuaj kemi parë nga të gjitha. A mund të na thoni gabimin tuaj më të madh?

– Nuk kam bërë një, kam bërë shumë gabime, ndaj nuk mund të zgjedh një në veçanti. Me kalimin e viteve mendoj se jam pjekur më shumë dhe kam mësuar shumë nga gabimet e mia dhe ato më kanë ndihmuar të mos bëj të tjerë. Kur isha më i ri nxehesha shumë, bëja shumë gabime. Besoj se këto janë të natyrshme në një farë mënyre. Por janë këto gabime që të bëjnë të rritesh. Pastaj në fund të fundit edhe unë një njeri si gjithë të tjerët jam.

– Me gjithë këtë famë që keni, a do të dëshironit më mirë një jetë anonime dhe jo i ndjekur kudo në jetën tuaj në çdo hap siç ndodh aktualisht?

– Sigurisht që do të doja një jetë të tillë. Besoj se ka qenë një suprizë për ju përgjigja ime (qesh).

– Jo aspak…

– Thënë ato më lart, unë i detyrohem perëndisë për atë çfarë kam arritur të bëhem sot. Sigurisht që jam krenar dhe për shumë fansat e mi që më ndjekim kudo. Nga ana tjetër dua të jem veçse një njeri i thjeshtë të qëndroj me miqtë e mi dhe me familjen time. Por që fëmijë kam ëndërruar të bëhesha një lojtar i madh, të bëhesha lojtari më i mirë në botë, ndaj kam punuar shumë për këtë jetë që bëj sot.

– Çfarë bëni zakonisht në jetën tuaj private?

– Është më mirë mos të flas shumë dhe të tregoj më tepër nga çfarë duhet për jetën time private. Në të kundërt do të bëheshin lajme anekënd botës. Të them të drejtën time ditët e mia varen nga humori që kam në një ditë të caktuar dhe shpesh dhe nga moti. Kaloj shumë kohë në shtëpi me familjen.

– Verën e kaluar latë Spanjën dhe u transferuat në Francë. A mund të na thoni për ndryshimet mes jetesës franceze dhe asaj braziliane?

– Gjëja më e rëndësishme ishte se mbërrita shëndosh e mirë në Paris. Kam bërë një sezon normal, kemi fituar disa trofe. Unë ndihem mjaft mirë në Paris. Sa për ndryshimet mes stilit francez dhe atij brazilian, ato janë të dukshme. Në përgjithësi brazilianët janë më të thjeshtë, më të shfrenuar, më të shkujdesur dhe më gazmorë se evropianët. Ne brazilianëve na pëlqejnë shumë festat, argëtohemi  pa masë. Në ndryshim nga ne, evropianët janë shumë më të organizuar, shumë më të disiplinuar në shumë sfera të jetës.

– Botërori sapo ka nisur dhe ju jeni gati pas tri muajsh jashtë fushave si pasojë e një dëmtimi me Paris SG-në. Në vitin 2014 Seleçao u turpërua në Brazil nga Gjermania 1-7 në gjysmëfinale. ju nuk keni luajtur, por e keni parë nga TV-ja takimin. A mund të na jepni një mendim tani pas 4 vitesh?

– Ajo ka qenë një humbje me përmasa katastrofike. Jo vetëm për ata që ishin në fushë, por për çdo brazilian. Këtu bëj pjesë dhe unë edhe pse nuk kam qenë në fushë në takimin kundër Gjermanisë. Pritshmëritë në Brazil ishin shumë të larta në drejtim të ekipit. Të gjithë donin fitimin e Botërorit, aq më shumë duke iu kthyer historisë. Por për fat të keq u përballëm me një Gjermani të shkëlqyer. Ne e dinim që para ndeshjes se na priste një përballje shumë e vështirë. Dhe në fund gjithçka shkoi ashtu siç shkoi dhe e dinë të gjithë. Por tani, katër vjet më vonë ne kemi një tjetër mundësi për të harruar, për t fshirë nga kujtesa dështimin e Botërorit 2014. Ndoshta përballemi sërish me Gjermaninë gjatë rrugës apo në finale. Kjo do të ishte mundësia jonë më e mirë për një revansh.

– A mendoni se Gjermania do ta kishte pasur më të vështirë nëse ju do të kishit qenë në fushë në atë gjysmëfinale?

– Të them të drejtën do të doja si askush tjetër ta luaja dhe njëherë tjetër atë ndeshje, duke qenë dhe vetë në fushë natyrisht. Me mua në fushë jam i bindur se rezultati do të kishte qenë ndryshe dhe për këtë jam i sigurt. Për fat të keq, gjërat nuk mund të kthehen mbrapsht dhe fati deshi që gjërat të shkonin në atë mënyrë. Unë dhe të gjithë brazilianët duhet ta pranojmë verdiktin edhe pse ka qenë shumë i vështirë për tu kapërdirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online