Rreth dy javë më parë ekspertët e merkatos parashikuan që sezoni pasardhës në Superioren shqiptare do vuajë për bomberat, ata që ishim mësuar t’i shihnim së fundmi duke e dërguar topin në rrjetë. Largimi Pero Pejiçit dhe Izair Eminit nga Kukësi, Kaleb Ekubanit nga Partizani e sidomos Hamdi Salihit nga kampionati shqiptar i ulën notat e optimizmit për një futboll që në vijën e parë do kishte protagonistë të vërtetë. Gjërat ndryshuan sa hap e mbyll sytë. Në sulm për sulmues, klubet janë duke investuar shumë në këtë drejtim. Emrat më të bujshëm janë Edgar Çani i Partizanit dhe Elis Bakaj i Kukësit. Të dy kanë qenë pjesë e skuadrës përfaqësuese dhe premtojnë një numër me dy shifra për sezonin e ardhshëm. Teuta ka arritur marrëveshjen me Osemen e Nigerisë dhe Amadun e Ganës, ndërkohë që Soue ka mbërritur në Korçë në formë huazimi me të drejtë blerje. Kukësi nuk është ndalur te Bakaj dhe ka firmosur madje dhe me Aliev, sulmues i përfaqësueses së Azerbajxhanit, ndërkohë që aktiv në merkato ka qenë dhe Laçi që ka marrë Rexhinaldon, surprizën e sezonit të shkuar me Luftëtarin. Flamurtari është i vetmi ekip që nuk ka bërë shumë ndryshime në linjën e parë. Bushiç dhe Alvesh janë konfirmuar dhe nuk kanë nevojë për prezantim, por gjithsesi mund të befasojnë Ardit Hoxhaj e Seku Kamara.