Para pak ditësh Italia U21 fitoi 1-0 ndaj Gjermanisë dhe falë fitores së Danimarkës ndaj Republikës Çeke, të dyja e mbyllën me 6 pikë në krye.
Megjithatë, nëse Italia kaloi si fituese e grupit në Europianin që po zhvillohet në Poloni, Gjermania kaloi vetëm për faktin se kishte golaverazh më të mirë se Sllovakia, e dyta në grupin A.
Me një rregullore absurde, UEFA e bëri Europianin me 12 ekipe, duke kualifikuar 3 fitueset e grupeve dhe të dytën më të mirë, që rezultoi Gjermania, por vetëm me golaverazh dhe duke ditur renditjet e rivalëve.
Fundi i takimit Itali-Gjermani ishte si miqësore, pasi natyrisht 1-0 kualifikonte Italinë e Gjermaninë, që shfrytëzuan difektin e sistemit.
I kuptueshëm zhgënjimi te Sllovakia, që u eliminua vetëm për një gol të pësuar më shumë se Gjermania, ndaj trajneri Hapal akuzoi hapur: “Ishte një turp për futbollin, Europiani nuk shihet më”.
Nuk mbaron me kaq, sepse sot kryeministri sllovak Robert Fico ka akuzuar Italinë e Gjermaninë për trukim dhe ka kërkuar hetim nga UEFA, duke i shkruar një letër edhe presidentit Aleksandër Çeferin.
“UEFA duhet të hetojë, Itali-Gjermani ishte një farsë, një sjellje e pahijshme që duhet dënuar. I kuptoj lotët e trajnerit Hapal, UEFA duhet të reagojë dhe të ndryshojë edhe rregulloren e turneut”.
Nuk ka munguar reagimi i Italisë, me presidentin e federatës Tavekio: ” Akuza të turpshme, që i përbuzim. Ne e kemi pësuar vetë në të shkuarën dhe nuk kemi kërkuar hetim”.