Nga “Tropikali”, ku ishim mësuar ta shihnim si zakonisht, në Stamboll… Kombëtarja e Shqipërisë ka preferuar që sfidën delikate ndaj Izraelit ta përgatisë në tokën turke, për të qenë sa më pranë transfertës në Haifa, por dhe për t’u mësuar me klimën, duke qenë se është thuajse e njëjtë mes dy vendeve. Sakaq, ka qenë edhe një vendtakimi më i lehtë për ata lojtarë që do të fluturonin direkt. Por, ku po stërvitet skuadra kuqezi? Në “Koverçianon” turke, ose e thënë ndryshe në “Tropikal”-in turk. Një strukturë gjigante në të cilën qeveria turke ka investuar 30 milionë dollarë dhe e cila është përuruar në korrik të vitit 2014. Hoteli ka plot 87 dhoma, ndërsa korridori kryesor është ideuar në formën e një mozaiku fotografish, pra tipike e një muzeumi.
Në fotografi janë të paraqitur të gjithë futbollistët, trajnerët dhe presidentët, mes të cilëve të bie në sy Ali Sami Jen, që është edhe djali i Sami Frashërit, ndër themeluesit e klubit legjendar të Stambollit, Gallatasaraji. Jo vetëm kaq, por lojtarët kuqezi kanë pasur mundësi që të shohin edhe shumë fotografi të tjera, mes legjendave turke të së shkuarës dhe atyre aktualë. Sa i përket kushteve, ato paraqiten si një parajsë për t’u stërvitur. Në fakt, kompleksi është i pozicionuar vetëm 40 km larg sheshit Taksim në qendër të Stambollit. Bëhet fjalë për një strukturë multi-funksionale sepse përveç palestrës, pra fitness, ka pishinë të brendshme, apo ambiente të tjera argëtimi, si fusha ping-pongu, bilardo, play-station e kështu me radhë.