Kristjan Asllani ka marrë pak minuta aktivizimi te Interi deri tani, shumë më ndryshe nga çfarë ishte menduar më herët. Trajneri Inzagi po vazhdon t’i besojë edhe Gagliardinit para mesfushorit shqiptar, teksa ka çuditur jo pak me vendimin e tij. Mbi këtë situatë është “Calciomercato” që ka bërë “mea culpa” duke theksuar se Italia nuk është një vend që i mbështet talentet e rinjë.
“Kohë të vështira. Që Italia nuk është një vend për të rinjtë, ndryshe nga filmi legjendar i 2007-ës nga vëllezërit Coen(nuk ka shtet për të moshuarit), mund të shihet çdo ditë te ne dhe në të gjithë sektorët e jetës. Se kjo ndodh shpesh në botën e futbollit nuk është e mirë dhe e drejtë, por e njohur. Megjithatë, fakti që po u ndodh edhe dy të rinjve me një të ardhme të ndritur me fanellat e Milanit dhe Interit, si Yacine Adli dhe Kristjian Asllani, lë më shumë se njëfarë hutimi, sidomos për stigmatizimin me të cilin francezi dhe shqiptari mbërritën në Milano”, shkruhet në median italiane. /Sport Ekspres/